Partia Demokratike e Kosovës, ka kritikuar kryeministrin Hoti, sipas tyre për qasjen e adresimit të drejtë të krizës ekonomike.
PDK ka thënë se Qeveria dështoi që t’i sigurojë votat e saj për të miratuar ligjin për rimëkëmbje ekonomike. Përmes një komunikate PDK thotë se ishte e gatshme të votoi këtë projektligj me nëse do të Qeveria do të bashkëpunonte për harmonizimin dhe plotësimin e tij.
Komunikata e plotë:
Partia Demokratike e Kosovës shpreh indinjatën e thellë për qasjen e Kryeministrit Hoti dhe koalicionit qeverisës për të adresuar drejtë problemin e krizës ekonomike në vend.
Sot gjatë seancës Qeveria e Republikës së Kosovës dështoi që t’i sigurojë votat e saj për të miratuar ligjin për rimëkëmbje ekonomike.
Megjithatë siç e kemi shprehur me dhjetëra herë, PDK ka qenë më se e gatshme që të mbështesë këtë ligj jetik për ekonominë e vendit.
PDK ka pasur vetëm një kërkesë minimale, që propozimin ta harmonizojmë dhe ta plotësojmë aty ku ne besojmë se nuk është bërë mjaftueshëm dhe ka pasur mundësi të bëhet gjithnjë në dobi të qytetarëve tanë.
Edhe pse në opozitë PDK në vazhdimësi ka përkrahur ligje dhe marrëveshje ndërkombëtare, madje edhe atëherë kur vetë deputetët e shumicës nuk kishin ardhur në seancë. Në fakt, ne në fillim të pandemisë ishim të vetmit që kishim propozuar një program të detajuar përmes një ligji të vecantë, ligj ky i cili është ende në procedurë e shumë lehtë mund të integrohet në propozimin e qeverisë.
Për hir të korrektësisë ndaj opinionit publik, duam të theksojmë përsëri se ne edhe sot kërkuam bashkërendim dhe bashkëpunim me qeverinë, e cila për çudi nuk po i siguron as votat e veta për propozimet që vetë po i sjellë në Kuvend.