Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka hapur procesin e zgjedhjeve të brendshme në Degën e saj në Prizren.
Lideri i PDK-së, Kadri Veseli, shprehu besimin se në zgjedhjet e ardhshme do ta rimarrin këtë qytet, të cilin ai e quajti sërish “Jerusalemi” i PDK-së.
E zyrtarë të partisë së tij thanë se “pa u bërë Kadri Veseli kryeministër nuk ka Kosova integrime evropiane”, raporton Ekonomia Online.
Veseli, i cili shoqërohej nga nënkryetari Enver Hoxhaj dhe ministri nga Prizreni, Kujtim Gashi, premtoi edhe ministra të tjerë nga ky qytet.
“Ka me pasë shumë ministra nga Prizreni në Qeverinë e PDK-së. Prizreni gjithmonë ka me qenë Jerusalemi i Partisë Demokratike të Kosovës. Do t’i japim përkrahje çdo projekti. Kur kemi qenë në pushtet nuk kemi sharë, por kemi punuar”, u shpreh Veseli para drejtuesve të strukturave partiake.
Veseli kritikoi qeverisjen aktuale komunale, për të cilën tha se erdhi si rezultat i “pazareve të pandershme” në raundin e dytë. “Qytetarëve të Prizrenit iu duhet ndryshimi”, theksoi ai.
Hoxhaj: Për “partitë ishuj” të Kosovës, PDK-ja është kontinent
Nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, njëherësh zëvendëskryeministër i Kosovës, tha para drejtuesve dhe strukturave të tjera të kësaj dege, tha se Prizreni dhe PDK-ja kanë një lidhje të veçantë.
“Nuk pe di a jemi në Konventën në Prishtinë apo në Prizren. Fuqia e PDK-së ka filluar me Prizrenin”, tha Hoxhaj, duke aluduar në masovitetin e tubimit.
“Jemi parti politike që kemi prirë për ide politike. Jam i bindur se këto zgjedhje brenda partiake do të sjellin ide dhe njerëz të rinj. Neve na duhet mbështetja e të gjitha profesioneve, gjuhëve dhe feve. PDK është një ndër partitë më të organizuar në Ballkan. Kur PDK është e madhe, Kosova është më e fortë”.
“Gara e brendshme duhet të jetë e fortë, në mënyrë që në garën e jashtme të jemi të pathyeshëm. Është ba sport nacional me sulmu PDK-në që për partitë tjera në Kosovë, të cilat janë ishuj, PDK-ja është kontinent,” është shprehur Hoxhaj.
Gashi: Riorganizimi do ta rikthejë PDK-në në qeverisje komunale
Sekretari i PDK-së në Prizren, Kujtim Gashi, njëherësht ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, i ka quajtur si zgjedhjet më të rëndësishme në PDK, raporton EO. Ai ka ftuar degën nga ai vjen, që të hapen për kuadro dhe njerëz që e nderojnë Prizrenin.
“Pritet edhe rikthimi i fuqishëm i PDK-së në qeverisjen e Prizrenit. Asnjë banor i Prizrenit nuk pajtohen me qeverisjen aktuale. Riorganizimi do të rikthejë PDK-në në qeverisje komunale. Pa u bërë Kadri Veseli kryeministër nuk ka Kosova integrime evropiane. Nga ky proces PDK do të dalë edhe më e bashkuar. Do ta bëjmë Kadri Veselin kryeministër,” pohoi ministri Gashi.
Hoxha: Synojnë dyfishimin e anëtarësisë
Samir Hoxha, kryetar i komisionit zgjedhor të PDK-së në Prizren, thotë se procesi zgjedhor në Prizren do të jetë shembull i një procesi demokratik dhe transparent.
Ai tha se synojnë dyfishimin e anëtarësisë.
“Besojmë se nga këto zgjedhje do të dalim më të fortë dhe nën udhëheqjen tuaj z. Veseli do ta marrim sërish udhëheqjen e Prizrenit”, tha Hoxha.
“PDK në Prizren i ka bërë të gjitha përgatitjet për procesin zgjedhor. Ato do të jenë transparente dhe në frymën e orientimeve programore të paraqitur në Konventën e PDK-së”, është shprehur Hoxha.