PDK-ja e dorëzon në Kushtetuese Ligjin për Zyrtarët Publikë, bie ndesh me MSA-në e parimet e BE-së

Prishtinë | 30 Dhj 2022 | 11:07 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Zyrtarët Publikë, raporton Ekonomia Online.

Sipas PDK-së, ky Ligj bie ndesh edhe me detyrimet që Kosova ka marrë ndaj Bashkimit Evropian përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) dhe parimet evropiane për administratën publike.

Deputeti i kësaj partie, Mërgim Lushtaku, ka thënë se katër pika të këtij ligji i konsiderojnë anti-Kushtetues.

“Sot me kërkesë të PDK-së, kemi ardh në Gjykatën Kushtetuese për ta dorëzuar kërkesën për ta shfuqizuar ligjin për zyrtarët publikë dhe ne e konsiderojmë si shkelje të radhës së Kushtetutës”.

“Është shkelur dinjiteti i nëpunësve civil dhe dinjiteti i qytetarëve të Kosovës, dhe kemi menduar që në katër pika të këtij ligji t’i paraqesim në Kushtetuese”, tha ai.

Ndërkaq, Koordinatori për Drejtësi në Kabinetin e Qeverisjes së Mirë, Përparim Gruda u shpreh se Ligji për Zyrtarët Publikë adreson një varg shkeljesh të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut.

“Ky ligj qon në një politizim të skajshëm të administratës publike. Po ashtu, ky ligj shkel detyrimet, të cilat Kosova i ka marrë ndaj Bashkimit Europian si rezultat i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, një marrëveshje e cila është mbi të gjitha e Kosovës dhe që ka statusin e tillë, sepse ia përcakton Kushtetuta. Në këtë kuptim, kjo është shkelje e Kushtëtutës”, tha ai.

Sipas tij, PDK e konsideron i konsideron të pakuptimta veprimet e Qeverisë, e cila ka aplikuar për anëtarësim në BE, ndërkohë që nuk i ka marrë parasysh asnjë nga kërkesat që i ka dërguar Zyra e BE-së në lidhje me Ligjin për Zyrtarët Publikë.

“Në këto kushte kur Zyra e BE-së e ka kundërshtuar ashpër këtë ligj, sepse thotë që është shkelje e standardeve, e parimeve të administratës publike për vendet kandidate për BE. Është e papranueshme dhe e pakuptimtë që në njërën anë Qeveria të aplikojë për anëtarësim në BE, ndërsa në anën tjetër të mos marrë parasysh asnjë nga kërkesat që i ka dërguar Zyra e BE-së”, theksoi Gruda.

Të ngjashme