PDK-ja e quan skandaloze mospërkrahjen e Qeverisë për ekonominë, masat i konsideron pa vizion

Prishtinë | 13 Nën 2020 | 09:46 | Nga Aulona Sylaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Mospërkrahjen e sektorit të ekonomisë Partia Demokratike e Kosovës (PDK) po e konsideron skandaloze, raporton Ekonomia Online.

Deputeti i kësaj partie Kujtim Gashi, tha se Qeveria nuk asnjë plan sa i përket përkrahjes së sektorit të ekonomisë dhe se vendimet e marra për mbyllje janë pa ndonjë vizion e plan të mirë-menduar.

“Partia Demokratike e Kosovës e konsideron skandaloze situatën kur ekonomia nuk përkrahet e mbështetet, dhe qeveria vendos ta mbyll edhe më shumë atë, e veçmas gastronominë pa ndonjë vizion e plan të mirë-menduar”.

Ai më tej ka shtuar se kjo parti nuk është kundër masave që kanë për qëllim mbrojtjen e jetës së qytetarëve, por që ka pyetur cili është efekti i tyre.

Ai ka kërkuar që sektori privat ta subvencionojë me pako financiare dhe të sigurohen të ardhurat për punëtorët e këtij sektori, ngase sipas tij, vendimet e paanalizuara mirë veçse do ta rëndojë edhe më shumë krizën ekonomike.

“Jemi dëshmitarë që qeveria, së fundmi merr vendime të çuditshme sa i përket masave kufizuese, siç ishte edhe vendimi i fundit ku në fundjavë pati mbyllje të përgjithshme, kurse kufijtë ishin të hapura me çka shumë qytetarë kaluan fundjavën në vendet përreth. Shtrohet pyetja, cilat kanë qenë efektet e kësaj mbyllje?”.

“PDK-ja nuk është kundër masave të cilat kanë për qëllim ruajtjen e shëndetit publik, dhe bëhen me propozime të profesionistëve, por paraprakisht kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që sektorin privat në Republikën e Kosovës ta subvencionojë me pako financiare dhe të sigurohen të ardhurat për punëtorët e sektorit privat “.

“Në të kundërtën, qeveria me vendimet e pa-analizuara mirë veçse do ta rëndojë edhe më shumë krizën ekonomike duke mbyllur shumë biznese dhe duke lënë pa punë mijëra punëtorë të sektorit privat, duke prodhuar kështu një krizë të re sociale”.

Fjalimi i plotë:

Të nderuar përfaqësues të medieve, të dashur qytetarë,

Sot bëhen 8 muaj, apo 245 ditë nga shfaqja e pandemisë Covid-19 në Kosovë. Fatkeqësisht, ne kemi përjetuar dy qeveri njëra pas tjetrës, Kurti dhe tani Hoti, pa ide, pa vizion dhe pa ndjeshmëri për qytetarin e Kosovës. 

Shëndeti publik i popullatës po rëndohet cdo ditë me rritje të numrit të infeksioneve dhe numrit të vdekurve; kapacitetet spitalore në mungesë; ekonomia buzë kolapsit; mbyllje të bizneseve, punëtorë që mbesin pa punë çdo ditë dhe dhjetëra-mijëra familje janë zhytur në varfëri sipas Bankës Botërore.

Dy partitë, VV dhe LDK që në tetorin e vitit të kaluar mashtruan qytetarët e Kosovës me parulla boshe për “qeveri të shpresës” janë kthyer në “mbytëse të shpresës” së qytetarëve të Kosovës.

Ne sot ndodhemi para një kaosi dhe kolapsi shëndetësor dhe ekonomik, me mungesë të sigurisë dhe frikë në secilën familje se çfarë do të ndodhë nesër me fatin e secilit prej nesh.

Të nderuar qytetarë të Kosovës;

Jemi sot në këtë konferencë për të rikujtuar edhe propozimet e Partisë Demokratike të Kosovës të para 8 muajve në vlerë prej 320 milionë euro “e njohur si pako emergjente” për bizneset dhe punëtorët e sektorit privat, që në fillim ish qeveria Kurti, e më vonë edhe kjo Hoti – e refuzuan, duke shikuar interesat e ngushta politike e partiake para interesit të qytetarëve.

Ta keni parasysh, po e përsëris: PDK NUK OFROI VETËM PROPOZIMIN E GATSHËM TË PAKOS EKONOMIKE, POR EDHE 24 VOTAT E SAJ NË KUVENDIN E KOSOVËS!!!

Dhe çfarë morëm si përgjigje: injorim dhe refuzim!

Kjo pako, sikurse e dini, parashihte masa konkrete për të gjitha këto kategori, të cilat sot e 8 muaj janë harruar.

Dora e dy qeverive sot nuk duket askund duke:

– Mos siguruar paga për punëtorët e sektorit privat,

– Duke mos i përkrahur ndërmarrjet private;

– Duke mos siguruar shtesa për punëtorët e sektorit publik të cilët ballafaqohen drejtpërdrejt me menaxhimin e pandemisë;

– As përkrahje dhe shtesa për skemat sociale;

– Kurrfarë mbështetje financiare për familjet që nuk kanë asnjë të punësuar;

– Zero ndihmë për sektorët që janë prekur më së shumti nga efektet negative që ka sjellur pandemia si: gastronomia, bujqësia, ndërtimtaria, prodhimtaria, transporti privat etj.

Por arroganca dhe injoranca e kësaj qeverie ka bërë që vendi ynë tash e sa kohë të mbetet pa pako ekonomike, e cila do ti adresonte problemet me pandemi e ekonomi.

Përderisa vendet e rajonit e ato evropiane tashmë diskutojnë për pakon e tretë e të katërtë, qeveria jonë refuzoi nismën tonë ligjore, dhe e la vendin pa një mbështetje të tillë.

Nga një përllogaritje e deri-tanishme, del që për 245 ditë të pandemisë, shuma mesatare që një punëtor ka përfituar nga qeveria është qesharake, dhe hiç më pak a më shumë se 2.60 euro në ditë për një punëtor!

Partia Demokratike e Kosovës e konsideron skandaloze situatën kur ekonomia nuk përkrahet e mbështetet, dhe qeveria vendos ta mbyll edhe më shumë atë, e vecmas gastronominë pa ndonjë vizion e plan të mirë-menduar.

Me të drejtë, shumë qytetarë, por edhe aktivistë e votues të PDK-së këto kohë kanë kërkuar mbështetjen dhe votën e PDK-së për ta votuar ligjin për rimëkëmbjen ekonomike, por besoni apo jo –Kryeministri Avdullah Hoti kurrë nuk ka pasur një qasje serioze dhe vetëm ka bërë kalkulime politike.

Me javë të tëra, ish kryetari Kadri Veseli, pas takimeve me bizneset dhe odat ekonomike kudo në Kosovë, pati shprehur gatishmërinë duke i bërë thirrje qeverisë që të marrë parasysh kërkesat e bizneseve dhe odave ekonomike, dhe PDK-ja do ta votoj brenda ditës.

Kanë kaluar javë që qeveria Hoti nuk ka regauar. Pra është një qeveri që duhet të shkoj në shtëpi sa më herët – sepse është e paaftë për të qeverisë; për ta menaxhuar pandeminë dhe ndihmuar ekonominë.

Përkundër që propozimet tona ligjore në muajin prill u injoruan dhe thirrjet e z. Veseli mbeten në vesh të shurdhër, PDK-ja megjithatë, e votoi rishikimin e buxhetit me të cilin i kemi hapur rrugë pagesave të premtuara prej 170 euro, e që për fat të keq ende nuk i kanë marrë të gjithë. PDK votoi edhe ligjin për pandeminë, sepse i kemi konsideruar si ligje të rëndësishme për jetën e qytetarëve të Kosovës.

Të nderuar qytetarë,

Jemi dëshmitarë që qeveria, së fundmi merr vendime të çuditshme sa i përket masave kufizuese, siç ishte edhe vendimi i fundit ku në fundjavë pati mbyllje të përgjithshme, kurse kufijtë ishin të hapura me çka shumë qytetarë kaluan fundjavën në vendet përreth. Shtrohet pyetja, cilat kanë qenë efektet e kësaj mbyllje?

Ose edhe rasti për masat e palogjikshme dhe ad-hoc, si p.sh: ne zonën e verdhë bizneset mbyllen në ora 18:00, e në atë të kuqe në ora 19:00, përkundër që ka rrëzikshmëri më të lartë.

Të nderuar qytetarë,

PDK-ja nuk është kundër masave të cilat kanë për qëllim ruajtjen e shëndetit publik, dhe bëhen me propozime të profesionistëve, por paraprakisht kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që sektorin privat në Republikën e Kosovës ta subvencionojë me pako financiare dhe të sigurohen të ardhurat për punëtorët e sektorit privat.

Në të kundërtën, qeveria me vendimet e pa-analizuara mire veçsa do ta rëndojë edhe më shumë krizën ekonomike duke mbyllur shumë biznese dhe duke lënë pa punë mijëra punëtorë të sektorit privat, duke prodhuar kështu një krizë të re sociale.

Faleminderit

Të ngjashme