PDK në Ferizaj: Për interesa politike po viktimizohen 28 mijë nxënës

Ferizaj | 17 Mar 2017 | 15:12 | Nga

Partia Demokratike e Kosovës në Ferizaj ka reaguar ndaj Departamentit të Kulturës dhe Arsimit në këtë komunë, duke theksuar se nuk po e përfillë vendimet e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT).

Udhëheqësi i Departamentit të Arsimit nga radhët e PDK-së në Ferizaj, Agim Berisha, i ka bërë thirrje ministrit të Arsimit, se në arsimin ferizajas përditë e më shumë po shpërfaqen veprimet negative në DKA, që janë në kundërshtim me ligjet dhe udhëzimet administrative të MAShT-it, veprime këto që po e varrosin shpresën e qytetarëve për një kthesë pozitive.

“Për interesat sektare e politike, po edhe të akraballëkut po viktimizohen hiç më pak se 28 mijë shkollarë dhe po injorohen kuadrot me fakultet të përgatitura për mësimdhënie, të cilët bredhin udhëve pa punë”, ka thënë Berisha.

Prandaj, janë arsyet e shumta që ju ministër ta formoni një komision për inspektim si në komunën e Malishevës edhe në DKA-në e Ferizajt, e cila nuk i përfillë fare ligjet e MAShT-it, p.sh:

– Përzgjedhja e drejtorëve e zëvendësdrejtorëve të cilët nuk kanë licencë për mësimdhënie;

– Regjistrimi i nxënësve në vitet e dhjeta pa asnjë kriter dhe stërmbushja e klasave me 47-50 nxënës, kurse në disa shkolla kemi klasë me 8-10 nxënës;

– Punësime me SHLP në nivel të tretë;

– Punësime pa konkurs, dhjetra e qindra veta dhe pa kontrata juridike;

– Punësime me gjysmënormë (duke e ndarë një normë në dysh);

– Ushtrues detyre me kohëzgjatje deri në 15 muaj;

– Falsifikimi i programit mësimorë: Dizajn i enterierit dhe teknologjia e drurit;

– Pagesa e mësimdhënësve me master të paakredituar;

– Punësime të të padiplomuarëve;

– Punësime joprofesionale për lëndët që i ligjërojnë;

– Caktimi i punëtorëve të rinj në vendet e punës pa ua plotësuar normën punëtorëve që janë në marrëdhënje të rregullt të punës me kohë të pacaktuar, dhe më në fund;

– Punësimi i gruas së kryeprokurorit pa konkurs në çerdhen e fëmijëve “Ardhmëria jonë”, kjo flet shumë…

“Përderisa inspektorët e arsimit, organet e krimeve ekonomike, inspektorët e punës dhe prokurorët nuk po tregojnë vullnet e dëshirë që të merren seriozisht me këto dobësi që janë bërë pjesë e përditshmërisë në arsimin ferizajas dhe nuk ka gjasa që të ndalen tani për tani, vetëm sa po thellohet kjo e keqe”, thuhet në reagimin e PDK-së.

“PDK-ja Dega në Ferizaj iu bënë thirrje publike z.ministër që tu dilni zot ligjeve dhe udhëzimeve administrative të MASHT-it që janë në fuqi, pëndryshe ç’kuptim do të kishte së ekzistuari kjo ministri?!”, thuhet në reagim.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme