Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se takimi i ardhshëm mes partive nikoqir i së cilës është partia e tij do të mbahet në fillim të javës së ardhshme.
“Mund të ua konfirmoj se ne do të ftojmë partitë politike për takimin e radhës që planifikojmë ta mbajmë në fillim të javës së ardhshme”, tha shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi.
Mbledhja e përfaqësuesuesve të partive politike për të diskutuar për temat e mëdha që e preokupojnë vendin ka filluar nga LDK, raporton kallxo.com.
Nga takimi i fundit që u quajt tryezë, partitë politike ishin marrë vesh që organizmin e këtyre tryezave ta bëjnë me rotacion të gjitha subjektet politike dhe grupet parlamentare.
Marrëveshja kishte qenë që takimi i radhës të bëhet nën patronatin e PDK-së.
Sot janë bërë 1 javë prej takimit të fundit që u mbajt në Kuvendin e Kosovës e që u drejtua nga nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu.
Në ftesën e LDK-së ishte shkruar se do të diskutohet edhe për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme, mirëpo pas mbledhjes palët kishin deklaruar se nuk kanë diskutuar për zgjedhjet e reja.