PDK: Prokuroria të intervistojë kryeministrin Kurti dhe ministren Haxhiu për rastin Dehari

Prishtinë | 20 Shk 2023 | 11:15 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda në një konferencë për media ka kërkuar të zbardhet rasti i zhdukjes së mostrave të Rastit Dehari nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, raporton EkonomiaOnline.

Gruda i bëri thirrje Prokurorisë së Shtetit të intervistoj Kryeministrin Albin Kurti dhe Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pas daljes në publik të fakteve të reja dhe ndërhyrjeve të Qeverisë në këtë rast.

“Rasti Dehari, është një rast tragjik, më të cilin nuk mund të vazhdohet të bëhet politikë, prandaj kërkojmë nga prokuroria e shtetit që të intervistoj Kryeministrin Kurti dhe Ministren Haxhiu për të zbardhur përfundimisht se kush dhe si i zhduku mostrat e rastit Dehari, në mënyrë që të zbardhet e vërteta e plotë e këtij rasti tragjik. Prandaj, kërkojmë drejtësi për Rastin Dehari”, tha ai.

Sipas Grudës, Kryeministri Kurti dhe Ministrja Haxhiu duhet ta sqarojnë opinionin publik se pse po heshtin karshi akuzave që i përfshijnë në mënyrë direkte ata në krimin e zhdukjes së mostrave të Rastit Dehari.

“Ditëve të fundit, opinioni publik është njoftuar më fakte të reja në lidhje me zhdukjen e mostrave të rastit Dehari në Institutin e Mjekësisë Ligjore pranë Ministrisë e Drejtësisë. Pretendimet e ngritura, që përfshin në këtë rast Kryeministrin Kurti dhe Ministren e Drejtësisë Albulena Haxhiu, si pjesëmarrës në zhdukjen e këtyre mostrave në në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Kryeministri Kurti dhe Ministrja Haxhiu duhet të sqarojnë opinionin publik se çfarë dinë ata në lidhje më zhdukjen e mostrave të rastit Dehari, cilat veprime janë ndërmarrë deri tani për të zbardhur të vërtetën e plotë rrethanat e zhdukjes së këtyre provave? Pse po heshtin karshi akuzave që i përfshijnë ata në mënyrë direkte në krimin e zhdukjes së mostrave të rastit Dehari?”, shtoi ai.

Po ashtu, PDK shpreh shqetësimin për sulmet e vazhdueshme të Ministres Haxhiu mbi organet e pavarura të sistemit të drejtësisë, duke shpërfaqur kështu mendësinë totalitare që po qeverisë me Kosovën.

“Në seancën gjyqësore ku ishte e akuzuar për hedhje të gazit lotsjellës, ajo i bëri presion publik prokurorit të çështjes duke i kërkuar që të tërhiqet nga aktakuza kundër saj.“Dorëzohu, s’është vonë”, i tha ajo prokurorit. Kur është vonë që prokurori të tërhiqet? Kur të dënohet Ministrja Haxhiu? Kjo është pyetja që duhet të bëjmë ne të gjithë. Kjo nuk mund të ndodhë në një vend demokratik. Zonja Haxhiu nuk duhet të harroj se përveç që është e akuzuar në këtë rast, ajo është dhe Ministre e Drejtësisë. Një koment i tillë është qartazi ndërhyrje në drejtësi dhe presion mbi organin e akuzës. Ministrja Haxhiu nuk u ndal me kaq. Pasi si e pandehur i dha urdhër prokurorit që të dorëzohet, ajo e sulmoi opozitën duke thënë që ose duhet të bashkëpunojnë me ne, ose duhet të heshtin, duke shpërfaqur kështu mendësinë totalitare që po qeverisë me Kosovën. Më lejoni të jem i qartë për të gjithë: Ne, as nuk do të heshtim as nuk do të dorëzohemi”, theksoi Gruda.

Të ngjashme