Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të Faton Osmanit, gazetarit dhe themeluesit të Agjencisë së Lajmeve “Ekonomia Online”, raporton Ekonomia Online.
“Telegram ngushëllimi. E nderuara familje Osmani. Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Faton Osmanit, familjarit tuaj, themeluesit dhe pronarit të Agjencisë së Lajmeve Ekonomia Online. Kontributi i tij në fushën e medias dhe informimit në Kosovë ka qenë i jashtëzakonshëm. Përmes punës së tij të palodhshme, ai krijoi një platformë të besueshme dhe profesionale të lajmeve, duke i shërbyer publikut me informacion të saktë dhe të paanshëm”, thuhet në telegramin ngushëllues të PDK-së.
Në këtë mesazh, thuhet se Faton Osmani do të mbahet mend për përkushtimin e tij ndaj gazetarisë së pavarur dhe për rolin e tij të rëndësishëm në zhvillimin e medias në vend.
“Ai la gjurmë të pashlyeshme në këtë fushë, jo vetëm si themelues i Ekonomia Online, por edhe përmes angazhimit të tij në media të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare. Në këtë moment të dhembjes së madhe, ju shprehim ngushëllimet më të sinqerta juve, miqve dhe të gjithë komunitetit të gazetarëve në vend”, thuhet në telegram.