PE: Mali i Zi ka rrezikuar integrimin në BE për shkak të krizës politike

Prishtinë | 20 Sht 2023 | 13:45 | Nga Ekonomia Online

Përmes një raporti, deputetët e Parlamentit Evropian kanë shprehur keqardhje për ngecjen që Mali i Zi ka bërë në rrugën drejt integrimit në BE si pasojë e krizës së brendshme politike.

Eurodeputetët po ashtu shprehën shqetësim edhe për tentimet për ndërhyrje dashakeqe nga jashtë që sidomos vijnë nga Rusia, Kina dhe Serbia.

Raporti për Malin e Zi u miratua në Komisionin e Politikës së Jashtme të PE-së me 51 vota në favor, tri kundër dhe tetë abstenime.

Në raport u tha se ligjvënësit evropianë mirëpresin vazhdimin e përkushtimit të Malit të Zi për integrim në BE dhe mbështetjen e lartë që ekziston për këtë gjë në opinionin publik.

“Eurodeputetët shprehen se dështimi për të ndërtuar konsensus për çështjet e interesit kombëtar dhe mungesa e dialogut ndërpartiak, e kanë vonuar progresin në reformat evropiane dhe e kanë kthyer Malin e Zi në një krizë të thellë institucionale dhe politike”, u tha në njoftimin e lëshuar nga PE-ja pas miratimit të raportit.

Eurodeputetët kanë mirëpritur përshtatjen e plotë që Mali i Zi ka bërë me politikën e jashtme të BE-së, përfshirë edhe vendosjen e sanksioneve ndaj Moskës për shkak të pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës.

Raporti është përpiluar nga deputeti kroat, Tonino Picula, i cili ka thënë se ky raport, që është i fundit në këtë mandat të Parlamentit Evropian, dëshmon një ngecje të gjatë të rrugëtimit të Malit të Zi drejt BE-së dhe ekzistimin e një krize të thellë politike në këtë shtet.

“Deputetët presin formimin e një qeverie pro-evropiane sa më shpejt që të jetë e mundur, një Qeveri e cila qartë dhe pa dyshime mbështet politikat dhe vlerat evropiane, në përputhje me pritjet e shumicës domethënëse të qytetarëve të këtij vendi”, tha Picula, që është raportues në PE për Malin e Zi.

Mali i Zi cilësohet si lider në Ballkanin Perëndimor sa i përket procesit të anëtarësimit në BE. Ky vend ka qenë kandidat që nga viti 2010, dhe më 2012 i hapi bisedimet për anëtarësim me Brukselin.

I hapi të gjithë kapitujt e procesit të anëtarësimit, por i mbylli përkohësisht vetëm tre kapituj.

Pavarësisht faktit se vlerësohet si vendi më i avancuar në bisedimet për anëtarësim, që nga viti 2012, Mali i Zi nuk e ka pasur asnjë konferencë ndërqeveritare (që është brenda kornizës së bisedimeve për anëtarësim), për shkak të përparimit të pamjaftueshëm në procesin e reformave, që është hap shumë i nevojshëm për të shënuar përparim në bisedimet për anëtarësim.

Ndryshe, Mali i Zi ka mbajtur të parakohshme parlamentare më 11 qershor. Lëvizja Evropa Tani fitoi më së shumti vota, përkatësisht 26 për qind.

Qeveria e re pritet të formohet nga Millojko Spajiq, do të jetë e treta që nga largimi i Partisë Demokratike të Socialistëve të Millo Gjukanoviqit nga pushteti, në gusht të vitit 2020.

Qeveria e parë e Zdravko Krivokapiqit, e formuar nën ndikimin e Kishës Ortodokse Serbe, zgjati 14 muaj.

Në të, Jakov Millatoviq dhe Millojko Spajiq ishin ministra.

Qeveria e dytë, në krye me Dritan Abazoviqin, u përball pas tre muajsh me votë mosbesimi dhe deri më sot ajo funksionon me mandat teknik. 

Të ngjashme