Kreu i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci është i gatshëm që të marrë drejtimin e Komisionit shtetëror për krimet serbe në Kosovë.
Emri i tij është përmendur si udhëheqës i këtij Komisioni, iniciativë kjo e kreut të Kuvendit Kadri Veseli, ndonëse vetë Peci nuk ka marrë ftesë ende për këtë çështje, raporton Ekonomia Online.
Komisioni Shtetëror parashihet që të bëjë mbledhjen e të dhënave dhe dokumentimin e krimeve të luftës që ka bërë Serbia gjatë luftës së fundit në Kosovë me qëllim që krimet e dokumentuara të adresohen nga drejtësia vendore dhe ndërkombëtare.
“Askush nuk më ka kontaktuar, as nuk ka biseduar rreth kësaj çështje me mua. Është një nder në kuptimin e përgjithshëm si personalitet me ndiku edhe në këtë çështje që është shumë e rëndësishme në kuptimin e përgjithshëm, ndoshta është pjesa me e rëndësishme e zhvillimeve të kaluar që kanë ndodhur në Kosovë”.
Por, Peci po e konsideron këtë përgjegjësi dhe barrë shumë të madhe ngase siç thotë ai pas 20 vjetësh është i vështirë dokumenti dhe vërtetimi i fakteve.
“E konsideroj një përgjegjësi dhe një dhe barrë shumë të madhe për shkak se 20 vjet veç kanë kaluar prej tragjedive që kanë ndodhur në atë kohë dhe dokumenti dhe vërtetimi i këtyre fakteve është në këtë kohë bukur i vështirë megjithëse se konsideroj se ka materiale të shumta të grumbulluar të cilat duhet me u sistemu edhe duhet me u evidentu në kuptimin edhe të hetimit, por edhe nuk kuptimin e një dokumentimi të ngjarjeve që kanë ndodhur të masakrave të ndryshme dhe ngjarjeve që kanë ndodhur shumë të vështira në kohën e luftës”.
Ai pret që kjo iniciativë të marrë edhe përkrahjen e ndërkombëtarëve, ngase vlerëson se Gjykata Speciale është një nacionale e që është krijuar mbi pretendimet e një raporti të thjeshtë.
Por, ai thotë se duhet të bëhen përpjekje që këto krime të gjykohen edhe në Kosovë edhe pse e konsideron shumë të vështirë ekstradimin e atyre që kanë kryer krime nga Serbia.
Sa i përket gjykimit në mungesë ai thotë se kjo nuk e ka efektin e vet nëse nuk sigurohet pala për gjykim.
“Besoj që kjo iniciativë dhe përmbledhja e këtyre fakteve dhe dokumenti çka ka ndodhur në të kaluarën nëse është e bazuar me siguri që ka me pas një vullnet politik të faktorit ndërkombëtar me iniciuar diçka për shkak se gjykata ndërkombëtare në Hagë që është themeluar për Kosovën dhe është një nacionale që do të gjykohen vetëm pjesëtarët e vetëm një formacioni dhe rrjedh prej një raporti të thjeshtë të Dick Martyt”.
“Duhet me bë përpjekje maksimale ndoshta ne duhet me gjykuar dhe i kemi kompetencat si vendor me gjykuar edhe se kem qare pa i gjykuar për shkak se jemi kompetentë për atë punë. Megjithatë prapë e konsideroj si sfidë të madhe në kuptimin e trajtimit të këtyre rrethanave rrethana e pare është bashkëpunimi me Serbinë është në nivelin zero dhe kriminelët të cilët fshihen në Serbi është vështirë me u ekstraduar edhe me transferuar në Kosovë për tu gjykuar, ndërsa gjykimet që përflitet për Kodin e Procedurës Penale se do të jetë edhe në mungesë nuk e ka efektin e vet nëse nuk sigurohet pala për gjykim”.
Kritika Peci ka për misionin e EULEX-it, që tash nuk ka mandat ekzekutiv, ngase sipas informacioneve që ai posedon misioni më i madh i sundimit të ligjit të BE-së, nuk i ka proceduar rastet për të cilat ka pasur dëshmi, duke mos punuar në hetimin dhe identifikimin e veprave penale.
“Deri më 14 qershor të vitit të kaluar kompetencë ekskluzive për këto krime ka qenë EULEX-i ka kaluar një tranzicion prej qe 1 vjet edhe janë bë disa përpjekje me i trajtuar këto raste fillimisht kanë vërejtje shumë të madhe në punën e gjyqtarëve të EULEX-it, prokurorëve të EULEX-it organit të ndjekjes për shkak se kam njohur se të gjithë ato fakte që i kanë pas në prokurori nuk i kanë proceduar dhe nuk kanë punuar në hetimin dhe identifikimin e veprave penale”.
“Tash është e vërtetë i ka caktuar 2 prokurorë. Megjithatë janë bo përpjekje dhe me siguri që kanë punuar ma tepër tash për 1 vjet se sa që ka punuar qe një kohë të gjatë EULEX-i. Duhet prova fakte të reja me u siguruar është shumë ma vështirë tash edhe pse ato raste duhet me u trajtuar”.
Përbërja e Komisionit shtetëror për krimet serbe parashihet të jetë: Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës sipas detyrës zyrtare; Nënkryetarët; deputet i Pozitës dhe deputet i Opozitës; Përfaqësues nga çdo grup parlamentar; Përfaqësues nga Zyra e Presidentit; Përfaqësues nga Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit; Përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë; Instituti i Historisë; Instituti i Albanologjisë; Këshilli Gjyqësor; Këshilli Prokurorial; Avokati i Popullit; KMDLNj-ja; Përfaqësues i Shoqatave të Pagjeturve; Përfaqësues i Shoqatave të dala nga lufta dhe Përfaqësues të Organizatave Joqeveritare që janë marrë me dokumentimin e krimeve.
Puna e Komisionit Shtetëror ndahet në 3 faza:
Faza inicuese: Ka të bëjë me themelimin dhe funksionalizimin e këtij institucioni. Në fund të kësaj faze, Komisioni Shtetëror duhet të jetë funksional me gjithë kapacitetet e tij
Faza e dokumentimit: Ajo do të bëhet në bazë të kritereve të qarta ndërkombëtare për dokumentimin e krimeve. Është me rëndësi që gjatë kësaj faze Komisioni Shtetëror t’i sigurohet buxheti i mjaftueshëm për operim.
Faza e lobimit për krijimin e Tribunalit: Kjo fazë fillon të zbatohet në momentin e parë që Komisioni Shtetëror i ka të gatshme raportet e krimeve të dokumentuara në bazë të kritereve ndërkombëtare. Kjo fazë nuk do të pushojë së funksionuari edhe nëse Komisioni Shtetëror e përfundon mandatin e tij për të cilën është themeluar.