Peci: Shkalla e efikasitetit në tremujorin e dytë të 2022-ës në Gjykatën Supreme është më e mirë se në fillim të vitit

Prishtinë | 08 Sht 2022 | 10:08 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci ka thënë se shkalla e efikasitetit në tremujorin e dytë të vitit 2022 në Gjykatën Supreme ka qenë më e mirë sesa në fillim të vitit.

Këtë deklarim, kryetari Peci e bëri të enjten, në takimin e 294-të të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) për punën e Gjykatës Supreme në tremujorin e dytë (prill–qershor) për vitin 2022, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai tha se Gjykata Supreme në këtë tremujor ka pasur ngecje sa i përket lëndëve civile, në lëndët ekonomike dhe ato lëndë me revizion.

Sipas kryetarit Peci, në këtë periudhë Gjykata Supreme ka pranuar 361 lëndë, sipas tij të trashëguara kanë qenë 488 lëndë prej periudhës së kaluar, janë përfunduar 436 lëndë, ndërsa kanë mbetur pa përfunduar 413 lëndë.

“Gjatë kësaj periudhe GJS i ka pranuar 361 lëndë, kanë qenë të trashëguara 488 lëndë prej periudhës së kaluar, janë përfunduar 436 lëndë dhe kanë mbet pa përfunduar 413 lëndë, kjo rezulton se jemi me zbritjen e numrit të lëndëve edhe nga periudha e kalume”, tha kryetari Peci.

Sipas tij, tremujori i fundit i vitit 2022 për Gjykatën Supreme do të jetë më i kënaqshëm sa i përket efikasitetit në zgjidhjen e lëndëve.

Ai po ashtu ka folur edhe për udhëzuesin e politikës ndëshkimore, për të cilin tha se Gjykata Supreme po punon në vazhdimësi.

Sipas tij, Supremja me udhëzuesin për politikë ndëshkimore verifikon ato raste kur është shpallur fajtor kryerësi veprës penale dhe rrethanat rreth matjes së dënimit dhe se sipas Pecit, ka probleme në praktikë por ka edhe progres prej hartimit të udhëzuesit të Gjykatës Supreme.

Kryetari i Supremes po ashtu ka thënë se ka pasur takime me të gjitha Gjykata Themelore në këtë tremujor, ku janë dhënë udhëzime sa i përket zbatimit të udhëzuesit të Gjykatës Supreme për politikë ndëshkimore.

“Muj të ju njoftu se jam taku me të gjitha gjykatat themelore edhe në këtë tremujor,  i kemi finalizu takimet në 7 gjykata themelore, dje ka qenë takimi me gjyqtarët e  Gjykatës së Apelit, besoj se jemi ne rrugë të mirë që me dhanë edhe udhëzime, edhe gabime që gjyqtarët të reflektojnë sa i përket çështjes së politikes ndëshkimore”, tha Peci.

Kryesusi i KGJK, Albert Zogaj ka bërë të ditur për kryetarin Peci se deri në fund të këtij muaji, Gjykatës Supreme do t’i bashkëngjiten edhe dy gjyqtarë.

Takimi po vazhdon me pika të tjera të rendit të ditës.

Të ngjashme