Peci s’ndalet as të dielave, viziton një fermer që ka përfituar grant mbi 71 mijë euro

Prishtinë | 05 Nën 2023 | 12:13 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka vizituar të dielën fermerin Vehbi Durmishi nga Frashëri i Mitrovicës, i cili është përfitues i grantit në vlerë prej 71,530.00 euro për ndërtimin e serës moderne me infrastrukturë përcjellëse.

Peci ka deklaruar se më shumë se 35.5 hektarë me sera janë ngritur këtë vit falë programeve mbështetëse të këtij dikasteri, teksa këto investime i quan fuqizim ekonomik dhe favorizim për qytetarët.

“Vehbi Durmishi është përfitues i grantit në vlerë prej 71,530.00 euro për ndërtimin e serës moderne me infrastrukturë përcjellëse. Më la përshtypje një detaj. Ditën e nënshkrimit të kontratës për ngritjen e serës, djali i Vehbiut vendosi që nga Gjermania të kthehet në Kosovë. Investimet në zona rurale dhe fuqizimi ekonomik, favorizojnë qytetarët tanë. Në këtë mënyrë ata zgjedhin vendin e vet karshi jetesës jashtë. 35.5 hektarë me sera janë ngritur këtë vit falë programeve mbështetëse të Ministrisë”, ka shkruar Peci në Facebook.

Të ngjashme