Ndotja e Lumëbardhit nga derdhja e ujërave të zeza të gjithë qytetit të Pejës pritet të marrë fund në vitin 2021, kur edhe planifikohet të futet në funksion impianti për trajtimin e ujërave të zeza të 65 për qind të territorit të kësaj komune.
Projekti më i madh në Pejën e pasluftës veç ka nisur gradualisht të realizohet me punët përgatitore në terren dhe shtrimin e gypave në dy pika kaluese nga njëra anë në tjetrën të brigjeve të Lumëbardhit, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Aktualisht është duke u punuar nga kompania kontraktuese infrastruktura në punishte për sistemimin e stafit punues dhe të makinerisë. Kurse në terren ka nisur të punohet në vendosjen e gypave të kanalizimit dhe kalimi i shtratit të lumit, pasi në dy pika kalohet lumi me gypat e kanalizimit që shkojnë pastaj në impiant. Edhe prej lokacionit ku ndërtohet impianti në drejtim të qytetit dhe nga qyteti në drejtim të impiantit është duke u punuar me dy ekskavatorë për pastrimin e trasesë për hapjen e kanaleve dhe vendosjen e gypave”, tregon për punimet që janë duke u kryer aktualisht, drejtori i kompanisë rajonale të ujësjellësit “Hidrodrini”, Agron Tigani, e cila kompani do ta marrë në menaxhim impiantin e ndërtuar.
Ndërkohë, siç tregon tigani, është duke u pritur furnizimi me gypat e kanalizimit, si dhe të pusetave të parafabrikuara për kanalizime, që, sipas Tiganit, janë porositur në Izrael.
Udhëheqëse e këtij projekti 22 milionësh është banka gjermane KfW, e cila edhe e ka kontraktuar operatorin për kryerjen e punimeve, një kompani e njohur gjermane. Por, siç tregon Tigani, për punimet e vrazhda në terren, për hapjen e kanaleve për vendosjen e gypave dhe ndërtimin e impiantit, me marrëveshje është që të kontraktohen edhe kompani lokale, të cilat do të kryejnë 20 për qind të punëve të projektit.