Peja dhe Shabaci shkëmbejnë përvojat në arsimin profesional

Prishtinë | 20 Qer 2018 | 09:32 | Nga

Një delegacion nga qyteti i Shabacit të Serbisë, në krye me kryetarin e kësaj komune Nebojsha Zelenoviq dhe kryesuesin e Kuvendit Komunal të Shabacit, Nemanja Pajiq, është duke qëndruar për një vizitë dyditore në qytetin e Pejës, në kuadër të programit “Mbështetje për Zhvillimin e Arsimit dhe Punësimit – SEED”, i cili mbështetet nga Agjencia austriake për Zhvillim (ADA).

Kryetari i Komunës së Shabacit të Serbisë, të martën ka vizituar Qendrën për Aftësime Profesionale në Pejë, të cilit drejtori i kësaj qendre Rexhë Gashi dhe mësimdhënësit e tjerë i sqaruan për funksionim e kësaj qendre dhe zanatet që mësohen në të, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ky projekt është duke u realizuar paralelisht në Kosovë, Shqipëri dhe Serbi dhe ka për qëllim të kontribuojë në punësim, zvogëlim të varfërisë dhe të ndikojë në zhvillimin ekonomik e sociale në këto tri vende.

“Ky projekt është i rëndësishëm përmes të cilit mund të shkëmbejmë përvojat tona. Tash pashë që këtu në Pejë ekziston kjo Qendër e Aftësimeve Profesionale, të cilën në Shabac nuk e kemi. Ne e kemi një tjetër që ofrojmë aftësime, por kjo këtu qenka shumë praktike, pasi për një kohe shumë të shkurtë njerëzit aftësohen në njohjet praktike në një profesion. Tash do të shikojmë efektet e punës tonë dhe të punës në këtë qendër dhe të i krahasojmë”, u shpreh për KD-në kryetari i Shabacit, Nebojsha Zelenoviq, derisa po i shikonte të gjitha hapësirat në këtë qendër dhe po njihej më detajisht për zanatet që ofrohen për aftësim në këtë qendër.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme