Ministri i Financave, Avdullah Hoti, kryetari i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), Safet Hoxha, si dhe kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, kanë promovuar sot në Pejë sistemin e E-prokurimit për nivelin komunal, e cila komunë është edhe e para që ka filluar ta aplikojë këtë sistem.
Ministri Avdullah Hoti bëri të ditur se pas shumë angazhimeve të KRPP-së, ekspertëve të angazhuar në këtë projekt si dhe me ndihmën e partnerëve zhvillimorë, nga janari i vitit 2017 ka filluar së zbatuari platforma elektronike për E-Prokurim.
Ai tha se janë rreth 1 miliard euro që shpenzohen përmes prokurimit, duke shtuar se qeveria i jep rëndësi të madhe kësaj fushe, raporton Ekonomia Online.
Sipas tij, prokurimi elektronik është pjesë e Programit që ka Qeveria e Kosovës me Fondin Monetar Ndërkombëtar, përmes të cilit përfitojmë deri në 180 milionë euro kredi direkte buxhetore për financim të projekteve, si dhe qasje në institucione financiare ndërkombëtare.
“Ne pamë konkretisht si po zbatohet platforma e prokurimit publik në nivelin komunal që për neve është shumë e rëndësishme. Qeveria dhe kryeministri i japin një rëndësi të madhe për prokurimin publik, nga shtatori i vitit të kaluar kemi filluar me prokurimin qendror, por nga janari i këtij viti përgëzoj komunën e Pejës e cila është lidere në këtë drejtim, nga ditët e para të këtij viti ka filluar zbatimin e plotë, janë ato vështirësitë në ditët e para, por me kalimin e kohës do të kalojë kjo”, tha Hoti.
“Në total janë rreth 1 miliard euro që shpenzohet për prokurimin publik e që është gjysma e buxhetit të Kosovës përfshirë nivelin qendror dhe lokal. Po besoj që po bëjmë punën e mjaftueshme për të bërë të efikas këtë projekt. Kjo në të njëjtën kohë është pikë e rëndësishme e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit”, ka theksuar Hoti.
“Me Prokurimin elektronik E-Prokurimi çdo organizatë buxhetore ka përparësi të pakrahasueshme, me qenë se siguron transparencë maksimale dhe objektivitet në përzgjedhjen e përfituesve të kontratave publike, siguron automatizim të procedurave dhe monitorim shumë më të mirë të kontratave, shkëputë kontaktet e drejtpërdrejta të zyrtarëve të prokurimit me operatorët ekonomik gjatë procesit të përzgjedhjes, mundëson që çdo aktivitet i zyrtarëve të prokurimit të jetë plotësisht i gjurmueshëm në sistem online dhe i qasshëm për të gjithë”.
“Prokurimi elektronik gjithashtu mundëson auditim më të lehtë dhe kontroll më efikas të proceseve të prokurimit dhe e rrit përgjegjësinë e zyrtarëve të prokurimit, si dhe ofertat bëhen të lexueshme të gjitha njëkohësisht, sepse sistemi nuk lejon qasje selektive dhe asnjë lloj keq-përdorimi. Të gjitha këto rrisin konkurrencën dhe rrjedhimisht ulet kostoja për realizimin e investimeve publike”, shtoi ministri Hoti.
Edhe kryetari i Komunës se Pejës, Gazmend Muhaxheri, tregoi se sa mirë është mirëpritur nga qytetarët ky projekt, po ashtu potencoi se sot kanë hapur tenderin e 14-të përmes kësaj platforme.
“Patem nderin të kemi në vizitë ministrin Avdullah Hoti dhe kryetarin e KRPP-së, Safet Hoxhen për momentin jemi në tenderin e 14-të të publikuar në këtë sistem, shpresojmë që do të jetë një mënyrë më transparente e tenderëve dhe do të ndihmojë shumë në rritjen e efikasitetit, por edhe transparencën dhe kthimin e besimit të qytetarëve në prokurimin publik”, ka thënë Muhaxheri.
Safet Hoxha, kryetar i KRPP-së, tha se Peja është komuna lidere që ka filluar përdorimin e E-Prokurimit.
“Ishte një rast i mirë pasi që ne erdhëm më e përgëzua qytetarët e Pejës dhe kryetarin e saj për një sukses, e cila e ka zhvilluar e para prokurimin publik në nivel komunal. Ishte kënaqësi e veçantë që jo rastësisht kemi zgjedhur një komunë të veçantë për një projekt të veçantë pasi që ky projekt do të jetë i rëndësishëm për kryetarin, për qytetarët e Pejës dhe bizneset”.
“Ne si KRPP, si qeveri do të jemi afër organeve kontraktuese, por edhe bizneseve t’iu ndihmojmë që E-Prokurimi të jetë një storie suksesi për Kosovën”, ka thënë Hoxha.