Shënohet “Java e lëvizshmërisë”, edhe në Pejë, e cila ka si qëllim lënien e veturave në garazhe dhe favorizimin e ecjes dhe përdorimin e biçikletave, si forma alternative të lëvizjes.
E gjithë kjo fushatë sensibilizuese nga Komuna e Pejës, siç tregon drejtori i Urbanizmit, Rajan Arapi, ka si synim mbrojtjen e ambientit nga ndotjet e gazrave që lëshojnë makinat si edhe ndikimin pozitiv në shëndet që kanë ecja dhe çiklizmi dhe pakësimin e automjeteve të shumta në rrugët e Pejës.
Inkurajime të tilla për shfrytëzimin e biçikletës për lëvizje në vend të makinës, nuk janë të reja. Ato ka vite që dëgjohen, por në infrastrukturën rrugore në Pejë ende asgjë nuk është punuar në favor të çiklistëve.
Aktualisht biçikletat po përdorën prej qytetarëve më shumë për rekreacion rrugëve të Rugovës dhe shtigjeve të tjera jashtë qytetit, por jo edhe rrugëve të qytetit në përditshmëri, për shkak të mungesës së sigurisë.