Komuna e Pejës nga janari i vitit të ardhshëm zgjeron shërbimet për qytetarët edhe me shërbimin për Kadastër me aparatin elektronik E-kioskë.
Deri tashti qytetarët kanë mundur të shërbeheshin me këtë aparat vetëm për dokumente ofiqarie, shkruan sot “Koha Ditore”.
Ndërsa për marrjen e fletëve poseduese dhe kopje të planit të pronave të tyre të paluajtshme, qytetarët nuk kanë mundur të shërbehen në E-kiosk, pasi Komuna ende nuk kishte qasje në të dhënat e Agjencisë Kadastrale të Kosovës dhe kjo qasje është siguruar pasi Agjencia e Regjistrimit Civil e ka lidhur sistemim me data bazën e Agjencisë Kadastrale.
“Tashti na është lejuar qasja në AK-në me digjitalizimin që është bërë dhe qytetarët që janë në sistem, dhe që kanë prona në emër të vetin mund të nxjerrin vetëm me letërnjoftim fletët poseduese dhe kopjet e planit në E-kioskë, njësoj sikur që i nxjerrin certifikata”, tregon risinë për shërbimin kadastral, drejtori i Administratës Fatmir Asllani.