Kryeqendra e Kinës, Pekini, është mbuluar nga një mjegull e dendur të hënën, ndërsa po përballet me atë që autoritetet kineze e quajnë stuhinë më të keqe të rërës në më tepër se një dekadë, shkruan BBC.
Stuhia ka shkaktuar një rritje të paprecedent në matjen e ndotjes së ajrit – ku niveli i ndotjes në disa zona është deri 160 herë më e lartë sesa limiti i rekomanduar.
Qindra fluturime janë anuluar apo ulur, ndërsa qielli është kthyer në një mjegull pluhuri me pamje apokaliptike.
Rëra po sillet nga erërat e forta nga Mongolia.
Mongolia po përjeton po ashtu stuhi të rënda të rërës, të cilat tashmë kanë rezultuar me vdekjen e gjashtë personave dhe zhdukjen e disa tjerëve.
Mediumet kineze raportojnë se së paku 12 provinca janë prekur nga stuhia e rërës, përfshirë edhe kryeqendrën Pekinin. Moti pritet të vazhdojë kështu gjatë ditës së hënë, ndërsa do të përmirësohet natën.
“Duket sikur fundi i botës. Është një lloj i motit, në të cilin nuk dua të jem jashtë”, ka thënë Flora Zou, një banore e Pekinit, për agjencinë Reuters.