Situata në Hong Kong duket se po shkon drejt një përshkallëzimi serioz dhe me pasoja të pallogaritshme.
Një karvan me kamionë të armatosur është vendosur në një qendër sportive në qytetin Shenzhen që kufizohet me Hong Kongun.
Ky veprim ka rritur shqetësimet se Pekini mund të përfshihet direkt në protestat që vijojnë prej 10 javësh në rajonin gjysmë-autonom.
Veprimi i policisë kineze është kritikuar ashpër, ndërkohë që autoritetet shtetërore reaguan duke deklaruar se forcat policore ishin në rajon në kuadër të një stërvitjeje të gjerë dhe nuk kanë lidhje me protestat.
Dixon Sing Ming, profesor i Shkencave Politike në Universitetin e Shkencave dhe Teknologjisë në Hong Kong, tha se shtimi i forcave të policisë është një masë kundër protestave dhe mund të konsiderohet si “taktikë psikologjike luftimi”.
Qytetarët e Hong Kongut kundërshtojnë ligjin për ekstradimet nga rajoni gjysmë-autonom drejt Kinës. Ndonëse ligji është pezulluar, ai nuk është tërhequr zyrtarisht dhe për këtë arsye protestat nuk janë ndaluar. /tch/