Rreth 30 të rinj nga Lipjani kanë qenë pjesëmarrës në punëtorinë HORIZON, dhe për tri ditë punuan me mentorët e tyre, që t’i paraqesin idetë e tyre për ndërmarrësi sociale dhe biznes, që do të sjellin ndryshime pozitive, në vendin ku ata jetojnë.
Të rinjtë aplikuan në thirrjen e hapur nga Rrjeti i Edukatorëve Bashkëmoshatarë (PEN) dhe muajin e kaluar, nga dhjetëra aplikime u zgjodhën gjashtë grupe.
Juria e përbërë nga drejtori Ekzekutiv i organizatës PEN, Bujar Fejzullahu; Njomza Emini nga “People in Need Kosovo” dhe Astrit Istrefi nga “Balkan Forum” i dëgjuan me vëmendje idetë e të rinjve.
Në fund, juria mori vendim që të gjashtë ekipet të shpallen fituese do të pranojnë mbështetje financiare deri në 5 mijë euro, në mënyrë që idetë e tyre të jetësohen.
Kjo punëtori është zhvilluar në kuadër të projektit “Fuqizimi i Zërave Lokalë për Zhvillim të Barabartë” (ALVED), i financuar nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar.
Drejtori Ekzekutiv i PEN-it, Bujar Fejzullahu, ka treguar për Ekonomia Online ecurinë e këtij projekti.
“Projekti ‘Fuqizimi i Zërave Lokalë për Zhvillim të Barabartë’ është një projekt që financohet nga Qeveria britaneze dhe implementohet nga pesë organizata. Është projekt që implementohet njëkohësisht në Kosovë dhe Serbi. Qëllimi i projektit është që të rinjtë të aftësohen dhe të bëjnë ndryshime pozitive, në vendin ku jetojnë ata”.
“Në projektet e PEN-it, siç e patë edhe ju, ka pjesëmarrës nga komunitete të ndryshme. PEN është një organizatë e specializuar me punë me të rinjtë, dhe zakonisht ne si organizatë i marrim idetë e të rinjve dhe pastaj ato ide duhet t’i implementojnë në komunitetet e tyre dhe të kenë impakt pozitiv”, tha Fejzullahu.
Ai tha se si juri kanë vendosur që t’i shpërblejnë të gjitha grupet pjesëmarrëse. “Në këtë punëtori kanë marrë pjesë gjashtë grupe, 28 pjesëmarrës. Nga këto gjashtë grupe, kemi vendosur që t’i shpallim të gjitha grupet fituese, ndërsa do të punohet edhe më tutje në përforcimin e ideve të tyre”.
“Janë tri grupe që për qëllim ndërmarrësi sociale dhe do të vazhdojnë edhe më tutje, ndërsa tri grupet e tjera kanë për qëllim avokimin me komunat dhe në këtë mënyrë për t’i bërë ndryshimet në komunat ku jetojnë”, shpjegoi Fejzullahu.
Petrit Augustini, menaxher i projektit ALVED, tha për Ekonomia Online, se në këtë punëtori janë përfshirë të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.
Ai tha se synim i tyre mbetet integrimi edhe më i madh i komuniteteve, teksa kërkoi edhe përkrahjen institucionale.
“Ne kemi bashkëpunim me institucionet qendrore dhe lokale me projektet që ne realizojmë. Mendoj që është e nevojshme që të ketë përkrahje institucionale, sepse nismat rinore janë shumë të rëndësishme për shtetin e Kosovës”.
“Edhe kësaj radhe kemi pasur pjesëmarrje nga të gjithat komunitetet që jetojnë në Kosovë”, tha ai.
Elizabeta Krasniqi, fituese në këtë punëtori, ka falënderuar organizatën PEN dhe mentorët, të cilët thotë se ua bënë më të lehta dhe të qarta idetë e paraqitura.
“Pas këtyre tri ditëve kemi arritur një sukses të mjaftueshëm dhe falë mentorëve që na i kanë thjeshtësu gjërat më shumë, kemi arritur fitore. Puna këtu gjatë tri ditëve ka qenë fenomenale”.
“Të gjitha ekipet që kanë fituar ju uroj suksese dhe një falënderim tejet të veçantë për jurinë si dhe mentorët tonë që na kanë mbështetur gjatë gjithë punës sonë”, u shpreh Krasniqi.
Aurora Pula, njëra nga mentoret në këtë punëtori, tha se qëllimi kryesor i ideve që financohen është kontributi për të mirën e komunitetit ku të rinjtë jetojnë.
Ajo tha se projekti që i ka pëlqyer më së shumti ishte parandalimi dhe raportimi i rasteve të bullizmit të fëmijëve nëpër shkolla dhe gjetiu.
“Qëllimi i punëtorisë ka qenë një kombinim i kampanjave edhe ndërmarrësive sociale. Ne si mentorë, e kemi pasur mundësinë që të përcjellim metodologjinë e horizontit tek të rinjtë e komunës së Lipjanit. Roli ynë si mentorë ka qenë të ndihmojmë të rinjtë për t’i formësuar idetë e tyre edhe të arrijnë deri te zgjidhja, e cila do të pasohet te bashkëmoshatarët e tyre, por dhe do të kontribuojë në të mirë të komunitetit”, tha ajo.
“Normalisht që çdo mentor i pëlqen më së shumti projekti i grupit të vet. Qëllimi i grupit tim ka qenë parandalimi dhe raportimi i rasteve të bullizmit në dy shkolla të mesme të komunës së Lipjanit. Bashkë me të rinjtë kemi arritë t’i identifikojmë se cilat janë pikat ku duhet të fokusohemi për target grupin që e ka përzgjedhë grupi im, dhe kemi arritë t’i realizojmë disa aktivitete të cilat përfshijnë nxënës të shkollës dhe persona që kanë qenë të bullizuar”, tha ajo, teksa shtoi se ky bashkëpunim ka qenë me drejtorë të shkollave dhe me psikologë.
Projekti do të vazhdojë dhe në komuna të tjera të Kosovës.