PEN organizon diskutim për ndotjen e ajrit, kërkohet aktivizëm më i madh

Prishtinë | 07 Dhj 2017 | 20:00 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Rrjeti i Edukatorëve Bashkëmoshatarët (PEN), në kuadër të konferencës për cilësinë e ajrit në Prishtinë, organizoi diskutim për hapat e radhës për përmirësimin e cilësisë së ajrit në kryeqytet.

Paneli përbëhej nga përfaqësues të Komunës së Prishtinës, të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), përfaqësues të Universitetit të Prishtinës (UP) dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Leutrim Sahiti, nga MMPH-ja, tregoi çka po bën kjo ministri për reduktimin e ndotjes së ajrit.

“Ne kemi hartuar një plan të aktiviteteve për reduktimin e ndotjes së ajrit. Kemi një koordinim dhe me institucionet e tjera”.

Ai tha se synojnë ta fuqizojë inspektoriatin. “Ministrja e Mjedisit ka kërkuar përgjegjësi edhe nga hartuesit e kornizave ligjore, sepse janë hartuar ligje të pazbatueshme. Kemi kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës zbatimin e udhëzimit administrativ në mënyrë që veturat që e kalojnë normat e lirimit të gazit të mos mund të regjistrohen dhe të kalojnë kontrollet”.

“Kemi kërkuar edhe nga Ministria e Tregtisë që të bëhet kontroll më i madh i derivateve që hyjnë në Kosovë”.

“Për të pasur një mjedis më të pastër duhet të kemi hapësira të gjelbra. Ne e kemi prioritet shtimin e hapësirave të gjelbra dhe në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës do të punojmë më projektet e tilla”, shtoi Sahiti.

Jehona Mavraj-Kamberaj, udhëheqëse e Sektorit për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Energji Efiçiente, paraqiti punën e Komunës së Prishtinës për përmirësimin e gjendjes.

Ajo tregoi se fillimisht Komuna e Prishtinës ka vendosur 6 sensorë në lagje të ndryshme të Prishtinës dhe tashmë e ka një pasqyrë ditore rreth nivelit të ndotjes.

“Brenda vitit 2016 dhe 2017 komuna e Prishtinës ka ndërtuar katër parqe të reja. Po ashtu, gjatë planifikimit buxhetor Komuna e Prishtinës planifikon çdo vit mbjelljen e drunjve. Gjatë vitit 2016 kemi mbjellë 1850 drurë, ndërsa në vitin 2017 rreth 3 500”.

Ilir Mazreku, nga Instituti për Hulumtime Biologjike dhe Mjedisore, tha se planet për mbrojtjen e mjedisit kanë ekzistuar në letër vazhdimisht, por nuk janë zbatuar asnjëherë.

“Në bazë të hulumtimit të literaturës të Departamentit të Biologjisë, kemi gjetur se janë disa plane se si të bëhet mbrojtja e mjedisit. Një ndër këto plane ka qenë edhe pyllëzimi i hapësirës te termocentralet, të cilët nuk do të lejonin shpërndarjen e hirit. Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë”.

Një ndër problemet, sipas tij, është dhe moskoordinimi i institucioneve për mbrojtjen e mjedisit.

Rinora Gojani, nga Konsorciumi Kosovar i Organizatave të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID), tha se nevojitet një aktivizëm për problemet dhe një vizualizim më i madh i problemeve me të cilat përballet Kosova.

“Ndotja në Kosovë ka qenë edhe para vitit 2016, por ajo pse e bëri alarmante është mënyra vizuale që e bëri edhe më të dukshëm këtë problem. Më vjen mirë që u bë sepse nevojitet që të dihet në gjendjen në të cilën është Prishtina”.

Më fund të konferencës, anëtarëve të projektit “Making Sense ” iu ndan certifikata si dhe u prezantua ekspozita në kuadër të këtij projekti.

LEXO EDHE:

http://cs13.temp.domains/~ekonomia/nacionale/ndotja-ne-prishtine-alarmante-sidomos-ne-dimer-lansohet-faqja-dhe-aplikacioni/

Të ngjashme