Pas orës 14:00 u planifikua nisja për në Prishtinë. Takimi ku përfundimisht u kuptua se turneu nuk do të vazhdohej në Prishtinë u krye pak pas orës 13:00 dhe vajzat u nisën për në drekë.
Zyrtari për siguri i Federatës së Hendbollit të Serbisë pyeti drejtuesit e Federatës së Hendbollit të Kosovës për mundësinë që nisja të bëhej më herët për shkak se në një qytet, në afërsi të rrugës për në Kosovë, tifozët e Cërvena Zvezdës do të udhëtonin për të përcjellë një ndeshje, shkruan sot “Koha Ditore”.
Kishte drojë nga ajo se huliganët e grupimit “Delije” do të mundë të shkaktonin ndonjë telash. Të gjuanin ndonjë gur në drejtim të autobusit. Drejtuesit e FHK-së u pajtuan që nisja të bëhej sa më parë të jetë e mundur dhe para orës 14:00 hendbollistet ishin në autobus.
Fiks në orën 14:00 autobusi me targa serbe, i një kompanie serbe, në të cilin gjendeshin 13 lojtaret me tuta dhe xhaketa me mbishkrimin “Kosova”, mori rrugë nga qendra në afërsi të Beogradit për në Prishtinë. Dy pjesëtarë të sigurimit serb sërish ishin në autobus.
Përcjellja ishte edhe më e madhe se gjatë udhëtimit nga Prishtina për në Beograd. Pesë vetura të policisë para autobusit, tri prapa tij. Shumë policë serbë gjatë rrugës, sidomos në afërsi të Beogradit.