Sindikata e Pavarur e Pensionistëve dhe e Invalidëve e Kosovës ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se po mban peng zbatimin e vendimit të Gjykatës së Strasburgut, sipas të cilit të gjithë kontributdhënësit e periudhës deri më 1999 gëzojnë të drejtën e pensionit nga Serbia.
Në listën e kontributdhënësve janë 61.750 persona, ndaj të cilëve Serbia ka detyrim ligjor ndërkombëtar që të paguajë shumën e mbi 2 miliardë eurove, shkruan sot Koha Ditore.
Serbia ka marrë në kontroll Fondin Pensional të Kosovës, në vitin 1999, kur sipas të dhënave të atëhershme kanë qenë afro 90 mijë përfitues.
Shaban Kelmendi, këshilltar i Sindikatës së Pavarur të Pensionistëve dhe Invalidëve të Kosovës, ka një kohë të gjatë që po kërkon listat e këtyre personave për t’i dërguar në Gjykatën e Strasburgut.
Këtë hap e ka marrë pasi që 5 vite më parë atij i ishte njohur e drejta për të gëzuar pensionin e tij nga kjo gjykatë që njihet si Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut. Pas vendimit të Gjykatës së Strasburgut, Kelmendi ka thënë se çdo muaj i merr nga 581 euro në Graçanicë.