Pentagoni po lëvizë drejt ndaljes së furnizimit me karburant të avionëve arabë, të cilët kanë zhvilluar një fushatë bombardimesh për tre vjet me radhë kundër rebelëve Huthi në Jemen, thanë zyrtarët amerikanë më 9 nëntor.
Ky vendim vjen pas zemërimit kundër Arabisë Saudite nga Kongresi, ku ligjvënësit kanë kërcënuar se do të ndalojnë shitjen e armëve ndaj aleatit të SHB-së, që po përballet me akuza se në sulmet ajrore janë vrarë mijëra civilë jemenas.
“Kam bërë thirrje për këtë që tre vjet”, tha përfaqësuesi demokrat, Ted Liu.
“Ne nuk është dashur që t’i mbështesim krimet e luftës të koalicionit dhe unë pres që të shqyrtohet roli i SHBA-së në Jemen, kur të kemi shumicën në Kongres”, tha ai.
Ndalimi i furnizimit të avionëve arabë nuk afekton asistencën ushtarake dhe trajnimet që jep SHBA-ja, me qëllim që të përmirësohet saktësia e sulmeve ajrore saudite, thanë zyrtarët.
Në luftën në Jemen janë vrarë mbi 10 mijë persona dhe janë zhvendosur mbi 2 milionë të tjerë.