Për 14 komuna ndryshon formula e buxhetit

Prishtinë | 22 Gus 2016 | 14:34 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Për 14 komuna të Kosovës formula e buxhetit për vitin 2017 ka pësuar ndryshime. Kjo është bërë me anë të Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal. Kështu ka bërë të ditur ministri i Financave, Avdullah Hoti, në Forumin me autoritetet komunale të regjionit të Prishtinës dhe Mitrovicës mbi zhvillimin e procesit buxhetor komunal 2017-2019.

Ministri Hoti ka thënë se amandamentimi i Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal është bërë në muajin korrik me të cilin është ndryshuar formula e grantit të përgjithshëm për të marrë parasysh disa specifika të komunave të vogla.

Sipas tij, me këtë ndryshim preken 14 komuna të cilat kanë më pak se 22 mijë banorë, pra ndryshon formula e buxheti të tyre për vitin 2017.

“Ashtu që gjysma e kësaj shume ndahet si shumë fikse e njëjtë për secilën komunë, dhe gjysma e një granti që është rreth 4 milionë euro ndahet proporcionalisht më numrin e banorëve që kanë këto komuna”.

“Besoj se me këtë evitojmë mangësitë e formulës së grantit të përgjithshëm për një periudhë të caktuar, por në vjeshtë do të fillojmë plotësim ndryshmin e ligjit për financat e pushtetit lokal”, ka thënë Hoti.

Sipas tij, për vitin 2017 shpenzimet rrjedhëse janë rritur për 2.1 milionë euro tek mallrat dhe shërbimet, granti për arsim ka mbetur i njëjtë, “por që numri i nxënësve është zvogëluar për afër 10 mijë, i bie që për kokë nxënësi financimi është më i madh këtë vit, shpenzimet kapitale kanë rritje më të madhe për 15.8 milionë euro”.

“Vazhdojmë të jemi strikt sa i përket shpërndarjes së buxhetit tek shpenzimet për paga dhe investimet kapitale për të ruajtur raportin në funksion të promovimit të zhvillimit ekonomik. Kërkoj nga ju që të jeni shumë më racional sa i përket shpenzimit të buxhetit për shpenzimet rrjedhëse, sidomos për shpenzimet kapitale sepse kemi iniciativa për shpenzime  dhe racionalizim të këtyre shpenzimeve, të cilat nuk po reflektohet drejtpërdrejt në buxhetin e komunave. Kemi trashëguar shuam anomali nga e kaluara nw shpërndarjen e buxhetit nëpër komuna…”, ka thënë Hoti.

Ndërsa, Christopher Tuetsch, drejtor i Departamentit për demokratizim – Misioni i OSBE-së në Kosovë, theksoi se autoritetet qendrore si dhe komunale mbajnë përgjegjësi të ndryshme për të siguruar menaxhim lokal të shëndoshë financiar, kështu që, komunikimi dhe bashkëpunimi janë faktor kyç të suksesit.

“Le të rikujtojmë se buxheti komunal është ndoshta produkti më i rëndësishëm i punës së një komune dhe po ashtu është një mjet shumë i dobishëm. Buxheti i shërben një numër të funksioneve. Në nivelin më themelor është një dokument ligjor që i jep zyrtarëve të qeverisë lokale autoritetin për të marrë detyrime, paguajnë shpenzime, për të kontrolluar shpenzimet dhe vlerësuar performancën. Por një buxhet komunal mund dhe duhet të jetë më shumë se një dokument me të dhëna financiare”.

“Buxheti mund të konsiderohet si një pasqyrë e asaj komune sa i përket vizionit të asaj komune, qëllimeve strategjike dhe prioriteteve, si dhe përpjekjeve të saja  gjithëpërfshirëse, do të thotë, përfshirjen e nevojave dhe adresimin e tyre nga banorët e saj. Përfundimisht, ky është një dokument që tregon se si një komunë është duke i shërbyer interesave të publikut në mënyrë përgjegjëse dhe të përgjegjshme”, shtoi Christopher Tuetsch.

Sazan Ibrahimi, kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës, ka thënë niveli i buxhetit qendror prej atij lokal në shpërndarje është rreth 24.7 %, duke u munduar që edhe komunat t’i ngritin të hyrat vetanake të përcaktuara me Korniza Afatmesme Buxhetore dhe me qarkore nga niveli qendror.

“Përkundër angazhimeve dhe aktiviteteve ende niveli lokal është duke çaluar në atë kuptimin që të inkasohet në atë kuptimin qind për qind të obligimeve të cilat burojnë nga nivelet qarkore buxhetore. Mirëpo arsyet ekzistojnë, nganjëherë edhe nuk qëndrojnë, sepse niveli qendror po e ka me të lehtë që të kritikojë nivelin lokal sa i për ketë të hyrave vetanake, por duhet të theksohet se përkundër angazhimit të komunave nuk po mund të arrihet qind përqindëshi i të hyrave vetanake”, ka thënë Ibrahimi.

Ndërsa, Salvador Elmazi, drejtor i buxhetit ka theksuar se sa i përket të hyrave vetanake komunale para disa muajsh është nënshkruar një vendim dhe është formuar një grup punues për hartimin e kritereve për projeksionin e të hyrave vetanake komunale.

“Në bazë të projeksionit të definuar është përcaktuar niveli prej 79 milionë euro për të hyrat vetanake komunale dhe ne jemi munduar të marrim parasysh kriteret unike të cilat do të vlejnë për të gjitha komunat dhe kemi hartuar një kriter, tatimi në prona ka marrë pjesë më 38 për qind në projeksion lejet e ndërtimit me 30 për qind dhe të hyrat tjera me 32 për qind”, ka thënë Elmazi.

 

 

Të ngjashme