Që nga viti 2002 e deri më 2017 në Kosovë janë privatizuar afro 30 mijë hektarë tokë, për vlerën që arrin në vetëm 100 milionë euro. Ndërsa tash, kur kanë mbetur afro 20 mijë hektarë të paprivatizuar, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të pezullojë privatizimin e tyre për rreth 1 vit, me arsyetimin e krijimit të kushteve të nevojshme për investitorët e huaj dhe ata vendorë.
Vendimi i Qeverisë për pezullimin e privatizimit të tokave të ndërmarrjeve shoqërore nga ekspertët e çështjeve juridike e ekonomike është vlerësuar i jashtëligjshëm dhe ndërhyrje jo vetëm në kompetencat e këtij institucioni të pavarur, por edhe në atë të Kuvendit të Kosovës. Por, duke përjashtuar debatin politik dhe shkeljet ligjore, ata kanë vlerësuar se asgjësimi i tokës së punueshme është i dëmshëm për të ardhmen e ekonomisë së Kosovës, shkruan sot “Koha Ditore”.
Halim Gjergjizi, ekspert i shkencave agroekonomike, ka thënë për gazetën se procesi i privatizimit në Kosovë nuk ka prodhuar efikasitet dhe rritje ekonomike.