Me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit, në Kosovë dhe Shqipëri janë organizuar aktivitete të shumta.
Me këtë rast, në të dyja vendet janë paralajmëruar shkëmbime vizitash të krerëve më të lartë të shtetit.
Gjatë ditës së nesërme, në “Shtëpinë e Flamurit” në Korçë, do të mbahet mbledhja e përbashkët e të dy qeverive, ku kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj bashkë me kabinetin qeveritar do të takohen me atë kryeministrit shqiptar Edi Rama, ku pritet të bëhet edhe nënshkrimi i disa marrëveshjeve, shkruan ksp.
Mbledhja e përbashkët do të vazhdojë edhe më 28 Nëntor, e cila do të zhvendoset në vendin ku edhe u ngrit flamuri shqiptar, në Vlorë.
Ndërsa, gjatë ditës së nesërme, më 27 nëntor, në Kosovë do të arrijë presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, i cili, bashkë me Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, do të priten nga garda ceremoniale e FSK-së te Platoja e Teatrit në Gjilan.
Meta do të jetë i pranishëm në manifestimin qendror të 28 Nëntorit në Gjilan, ku do të zbulohet edhe shtatorja e Heroit Kombëtar, Idriz Seferi.