Për 3 muaj 4 fëmijë të braktisur në Kosovë, sociologu tregon shkaqet dhe pasojat

Prishtinë | 22 Maj 2022 | 13:26 | Nga Ekonomia Online

Shumë fëmijë në Kosovë nuk e kanë fatin që të rriten me prindërit e tyre biologjikë, pasi që ka shumë prindër që i braktisin ata pas lindjes.

E braktisja e fëmijëve në Kosovë po vazhdon të mbetet  një  dukuri mjaftë  shqetësuese.

Vetëm në tre muajt e parë të vitit 2022 në Kosovë sipas të dhënave të ASK-së janë braktisur katër fëmijë, tre djem e një vajzë.

Fëmijët e braktisur në tre mujorin e parë të vitit 2022, sipas ASK-së, janë nga Gjilani, Prishtina , Prizreni dhe Vushtrria.

Braktisja e fëmijëve, sipas sociologut Ferdi Kamberi, ka të bëjë me shumë faktorë.

Ai për “FrontOnline” tha se si dukuri sociale ka të bëjë më shumë me marrëdhëniet seksuale para martesës ose lidhjet jashtëmartesore.

“Si dukuri sociale sipas sociologëve ka të bëjë më shumë me marrëdhëniet seksuale para martesës ose lidhjet jashtëmartesore, shtatzënia në adoleshencë, mungesa e një planifikimit adekuat familjar, pastaj stigmatizimin e gruas qoftë nga familja apo rrethi social. Gjithashtu, faktorë të tjerë mund t’i nënvizojmë edhe mospranimin e atësisë nga njëri ose tjetri prind, sidomos nga burrat, faktorët socio – ekonomik (papunësia, varfëria, mungesa e mirëqenies sociale), mungesa e kushteve elementare të jetës ose mungesa e banimit, mungesa e pavarësisë së gruas për të mbajtur fëmijët, etj”, tha ai.

Kamberi tha se nëse fenomeni i braktisjes së fëmijëve vazhdon do të prodhojë efekte tjera sociale.

“Fenomeni i braktisjes së fëmijëve, është fenomen i cili kohës së fundit është shpeshtuar dhe si fenomen social nëse vazhdon me këtë ritëm atëherë vërtet pasojat mund të prodhojnë efekte të tjera sociale”,

E për të mos ardhur deri të pasojat sociale, Kamberi për FrontOnline, ka treguar se si mund të minimizohet fenomeni i braktisjes së fëmijëve.

“Lidhur me minimizimin e këtij fenomeni, konsiderojmë se duhet që familja si agjens i parë i socializimit të ketë një komunikim të mirëfilltë brenda për brenda familjes, në mënyrë që çdo problem, mosmarrëveshje apo sfidë të diskutohet dhe të gjendet një zgjidhje, pastaj institucionet e vendit duhet të krijojnë politika popullative për familjen, duhet të krijohen politika të cilat përkrahen nënat e reja, pasi që edhe ashtu të dhënat tregojnë se ka rënie të natalitetit”, tha ai.

Sipas tij, edhe akterët e ndryshëm si niveli qendror, lokal dhe qendrat për punë sociale, duhet të punojnë me komunitetin, në mënyrë që të ketë një vetëdijesim për shoqërinë lidhur me pasojat e braktisjes së fëmijëve.

Braktisja e fëmijëve në Kosovë, dënohet  sipas Kodit Penal, ku neni 250 nënvizon se ‘Keqtrajtimi apo braktisja e fëmijës – 3. Prindi, prindi adoptues, kujdestari apo personi tjetër që ushtron autoritet prindëror mbi fëmijën, i cili e braktis fëmijën e tillë në një mënyrë që rrezikon jetën e tij apo rrezikon ose dëmton rëndë shëndetin e tij, dënohet me burgim prej një (1) deri në pesë (5) vjet”.

Sipas të dhënave të ASK-së gjatë vitit 20211 në Kosovë janë braktisur 15 fëmijë, dhjetë djem e 5 vajza.

Të ngjashme