Pabarazia si shprehje e realiteteve shoqërore është gjë fort e pranishme, kudo dhe përherë. Ajo përbën elementin themelor në çdo rend shoqëror. Edhe në ato që janë ndërtuar sipas doktrinës teologjike, edhe në ato që qëndrojnë sipas doktrinës laike politike.
Shkaqet e pabarazisë janë të ndryshme. Diku për shkak të padrejtësisë. Diku për shkak të paditurisë. Diku për shkak të dominimit të grupeve shoqërore që shtypin për t’iu bërë të pabarabartë, duke u bërë më të barabartë se të tjerët. Madje, diku, pabarazia vjen si rezultat i kërkesës për barazi të plotë e për të gjithë. Në Kosovë, ka nga të gjitha nga pak.
Në dimensionin social, pabarazia është gjë e padëshirueshme. Në dimensionin ekonomik, ajo është një standard matës. Në dimensionin politik, ajo është temë për përplasje.
Përkundër se pabarazia ka qenë dhe është një temë qendrore e zhvillimeve politike revolucionare dhe sistemeve ideologjike bashkëkohore, megjithatë, zgjidhje në tërësi për pabarazinë s’ka pasur kurrë, e as që pritet se mund të ketë ndonjëherë.
Prandaj, pretendimet e “dogmave” politike që në fakt janë “dokrra” politike, të cilat na flasin për luftën kundër pabarazisë, pa e trajtuar natyrën e saj, janë më të padenja sesa vetë gjendja që duan ta sanojnë.
Megjithatë, ndonëse shoqëria përbëhet edhe nga elementi i pabarazisë, e cila e plotëson një kuadër të shfaqjes së dimensionit të saj të plotë, ka diçka rreth pabarazisë që duhet ta kemi në mendje, veçmas kur duam të provojmë të ofrojmë zgjidhje për të.
Për nga natyra, pabarazia i ka dy anë. Ka pabarazi sasiore, që kuptohet përmes numrave. Për shembull, dikush ka një banesë, dikush i ka dhjetë të tilla, e dikush nuk e ka asnjë të vetme.
Pra, pabarazia sasiore lidhet me pronën dhe sasinë e saj, që mund të jetë çdo gjë, prej parave, tek patundshmëritë, bizneset etj.
Por përveç saj, ka edhe pabarazi cilësore, që kuptohet përmes vlerave. Për shembull, për një vepër të njëjtë, dikë e dënojnë me një vit burg, ndërsa dikë me 10 vite, e dikë tjetër mund të mos ta dënojnë fare.
Pra, pabarazia cilësore lidhet me vlerat që i ndërtojmë si raport shoqëror, të cilat mund të përfshijnë marrëdhënien tonë me botën, prej çështjes së të drejtave, tek puna, kompensimi meritor trajtimi i pabarabartë si palë, etj.
Në këtë kuadër, zgjidhje nuk mund të ketë për pabarazinë sasiore, pasi që për diçka që posedohet në mënyrë të ligjshme, tendenca për barazi nuk mund të jetë gjë tjetër veçse arbitraritet. Sasia e pronave, mallrave, parave që është fituar sipas ligjit, nuk është subjekt i ndarjes sipas “nderit”. Ai që ka shumë, mund t’i mbajë të gjitha për vete, pa pasur nevojë t’i japë asgjë atij që s’ka fare.
Ky është një minimum “mirëkuptimi” që rendi demokratik e liberal e ka vendosur në mesin tonë, të cilit duhet t’i qëndrojmë përballë.
Por, miqve të politikës, shoqërisë civile dhe atyre që shpesh më pyesin se a ka formulë kundër pabarazisë, gjithmonë rend t’iu them se ka. Vetëm se ajo formulë vlen ekskluzivisht për pabarazinë cilësore.
Çka do të thotë ta luftosh pabarazinë cilësore?
Në radhë të parë, duhet ta pranojmë qytetarinë si status themelor. Pra, të jesh qytetar (civitas), nuk do të thotë se thjeshtë je i pajisur me një kartë identiteti. Të jesh qytetar, do të thotë se ke disa të drejta themelore që të takojnë në mënyrë të barabartë me të gjithë të tjerët.
Garanci për realizimin e qytetarisë është ligji. Të kërkosh prej ligjit, realizimin e të drejtave tua, duhet fillimisht të kesh një vetëdije për të kërkuar aq të drejta sa ligji t’i ka njohur. Jo më shumë. As më pak. Por përfundimisht jo më pak.
Prandaj, beteja jonë shoqërore që shkon në drejtim të edukimit civil rreth të drejtave dhe gatishmërisë për t’i ndjekur ato deri në fund, është beteja më efektive kundër pabarazisë. Një betejë e tillë nuk është politike “per se” por është aspiratë politike e një beteje të duhur dhe fort të nevojshme edhe aktualisht.
Çështja është tek vullneti. Varet se a kanë vullnet grupet shoqërore dhe politike që ta luftojnë pabarazinë cilësore, në mënyrë që të arrijmë në atë pikë, ku pabarazia sasiore të mos jetë aq e rëndësishme dhe të na shtypë për çdo ditë nga fluksi i mallrave.
Ai vullnet ekziston dhe gjendet lehtë. Por ai nuk manifestohet nga ideja se ai ekziston. Ai nuk mund të manifestohet përmes kollares e para kamerës. Për t’u vënë në jetë ai vullnet, fillimisht duhet të pranohet si i tillë. Vetëm kur i rivlerësojmë synimet nga qëllimi për të rritur cilësinë në barazi, do të mund të arrijmë në atë pikë, kur vërtetë jemi duke luftuar pabarazinë në cilësi.