Asnjëherë nuk ka pasur më tepër interesim sesa këtë vit për të dënuar dhe gjykuar gazetarët. Vetë fakti se mafia dhe grupet kriminale të interesit kërkojnë kokat e gazetarëve përmes gjykatave apo dëmshpërblimeve tregon qartë se në çfarë pozite ndodhet medie e lirë dhe e pavarur në Kosovë. Kjo edhe është arsyeja kryesore pse gazetarët e mirë dhe të ndershëm profesionalisht duhet të jetojnë dhe bashkëveprojnë çdo ditë me datën 3 maj.
Koncepti për ditën e 3 majit duhet të ndryshojë në kuptimin pozitiv duke u marrë me sfidat, pakënaqësitë dhe telashet reale që ka një gazetar apo një media për të kryer me sukses misionin e saj.
Një gazetar me ndershmëri dhe kredibilitet profesional, nëse arrin që për çdo ditë të plasojë lajmin e mirë, të balancuar, shkrimin, kronikën ose intervistën e mirë duke respektuar parimet dhe kodet e etikës, ajo ditë për atë gazetar duhet të jetë festë në kuptimin pozitiv.
Kjo në fakt edhe është arsyeja kryesore pse data 3 maj duhet të jetë datë e sensibilizimit, datë e përpjekjeve të vazhdueshme për ta ndryshuar media në kuptimin pozitiv, për të parë gabimet dhe të metat tona dhe për të ndikuar që kjo gjendje të ndryshojë gradualisht.
Media e ka të drejtën të bëjë kritika, të merret me të tjerët, të flas e shkruaj për të gjitha temat, të jep vlerësime, opinione, komente e këndvështrime nga më të ndryshmet, por gjithashtu media, mediat dhe gazetarët duhet edhe të jenë vetë kritik për punën e tyre të përditshme.
Nuk jemi shumë keq krahasuar me mediat në rajon, por edhe nuk jemi për shumë lavd. I mbetet gazetarëve të guximshëm, atyre që jetojnë e veprojnë çdo minutë e orë për ta zbuluar të vërtetën dhe për të sjellur zhvillime dobiprurëse për publikun e lexuesin, që ta ndryshojnë trendin e gazetarisë online, trendin e një gazetarie që do jetë edhe profesionale, duke respektuar gjithnjë etikën, parimet dhe kodet etike.
Personalisht jam ithtar që media dhe gazetarët të kenë maksimalisht kujdes në qasjen, mënyrën dhe standardet e raportimit online.
Jemi para një situate ku askush nuk e din saktë se çfarë po përfaqëson. Nëse i sheh televizionet të vjen me vjell në çfarë niveli bëhen ato emisione. Pa asnjë kriter dhe pa asnjë shije gazetareske.
Dalim te portalet që janë bërë shumë. Edhe këtu ka portale që gazetarinë e shohin vetëm si luftë për “like”, duke e humbur çdo kriter të vlerësimit. Nuk dëshirojë të bije nën nivelin tim profesional, për tu marrë me këto emisionet e Shoë bizit ose shtëpitë e mbyllura, ku asgjë të mirë e të dobishme nuk i sjell publikut, degjenerim e devalvim të shumtë mund të gjesh aty..asgjë tjetër.
Konsideroj se data 3 maj duhet të jetë një mundësi e mirë që të flasim për vetën, për përvojat tona, për të gjitha brengat, dobësitë, problemet në teren, problemet që kanë gazetarët e rinj me kontratat e punës, kushtet e profesionit, niveli i edukimit të tyre, mundësia e trajnimeve dhe përzgjedhja e gazetarëve që do ta përfaqësonin me shumë dinjitet e profesionalizëm gazetarinë kosovare.
Ne po jetojmë, punojmë e veprojmë në kushte bukur të rënda sepse në Kosovë ekziston një klimë e padurueshme dhe neveritëse ndaj gazetarëve në përgjithësi.
Gazetarët e mirë e të ngritur profesionalisht duhet të përballojnë këto presione, por ky presion dhe kjo luftë kundër nesh mund të bëhet vetëm nëse ne tregojmë aftësi, edukim dhe zhvillim profesional mediatik. Zanatin tonë duhet ta duam edhe atëherë kur jemi në krizë, edhe atëherë kur jemi të kërcënuar e shantazhuar, edhe atëherë kur ndeshemi me kriza financiare e forma tjera të pengesave.
Asnjëherë nuk ka pasur më tepër interesim sesa këtë vit për të dënuar dhe gjykuar gazetarët. Vet fakti se mafia dhe grupet kriminale të interesit kërkojnë kokat e gazetarëve përmes gjykatave apo dëmshpërblimeve tregon qartë se në çfarë pozite ndodhet medie e lirë dhe e pavarur në Kosovë.
Gazetarët në Kosovë dhe gjetiu, nuk kanë asnjë arsye të merakosen për nenet e ligjet qeveritare, sepse për ta parësore dhe obligative në fushën profesionale mbetet zbatimi i kodit të etikës, si parakusht për të shmangur çfarëdo pasoje ligjore në punën e tyre.
Krahas këtyre sfidave të shumta gazetarët për asnjë moment nuk duhet të dorëzohen, dhe nuk guxojnë të jenë viktimë e asnjë shantazhi a kërcënimi. Përkundrazi këto dukuri e akte kërcënuese duhet të jenë edhe një motiv më tepër për ta avancuar punën e tyre profesionale.
Gazetarët e mirë dhe ata që e duan dhe kanë investuar në këtë profesion, nuk kanë frikë asnjëherë, as nga fyerjet, as nga shpifjet e as nga kërcënimet. Jam shumë i sigurt se gazetarët e mirë bëjnë të pamundurën për të përcjellë ngjarjet në mënyrë profesionale dhe për të qenë të aftë e të përgatitur për t`u përballur me sfida të shumta.
Gazetaria e mirë dhe profesionale mund të zhvillohet pa asnjë problem, kuptohet vetëm duhet durim për të balancuar të gjitha faktet dhe argumentet e palëve. Tani qytetari e, në këtë rast lexuesit, tanë po vetëdijesohen çdo ditë dhe po e kuptojnë rolin e medias dhe rolin që gazetari ka në shoqëri.
Por, ende ka të atillë që me çdo kusht mundohen të pengojnë punën e gazetarëve, qoftë duke i fyer, kërcënuar e shantazhuar në mënyra të ndryshme. Data 3 maj nuk duhet të shënohet vetëm si datë e lirisë së medias, po mbi të gjitha, kolegët e mi duhet të jenë më solidarë me njëri-tjetrin, duhet të bashkëpunojnë më shumë me njëri-tjetrin.
Nuk duhet harruar se kur gazetarët profesionistë punojnë me hile dhe tentojnë të dëmtojnë njëri-tjetrin, atëherë shtrati i krimit dhe i kriminelëve të fushave të ndryshme e ka shumë të lehtë të gjejë vendin e duhur.
Pra rrezik dhe krizë për mediat profesionale dhe gazetarët e të gjithë sektorëve mbetet respektimi i etikës dhe i kodeve të saj. Etika nuk duhet të jetë “saç” mbi kokë për mediet, por udhëzues dhe udhërrëfyes i shëndoshë për të shmangur dëmet ligjore.
Personalisht shumë më sfiduese për mua do të mbetet ballafaqimi eventual me ndonjë paditës në KMSHK sesa në Gjykatë. Gjykatat janë ashtu siç janë dhe asnjëherë nuk e kanë mbrojtur punën e gazetarëve. Dhe krejt ky inercion i gjykatësve vije nga fakti i një perceptimi të gabuar ndaj medieve. Gjykatat dhe gjykatësit ende mendojnë se politikanët, qeveritarët, zyrtarët e të gjitha kategorive janë të paprekshëm. Në fakt interesi publik dhe interes për publikun mbetet çdo figurë publike që paguhet nga taksapaguesit. Kuptohet mediet kanë obligim të zbulojnë vetëm të vërtetën dhe faktet.
Dëmet ligjore që mund të shkaktohen nga raportimi gazetaresk, kryesisht vijnë nga raportimi për gjykatat, raportimi për krimet e rënda, fatkeqësitë, aksidentet, zjarret, vrasjet, dhunimet, prostitucioni, kontrabanda, korrupsioni etj.
Mos të harrojmë një fakt se tani, me daljen në skenë të shumë portaleve dhe shfrenimit ekstrem të rrjeteve sociale, pak ka mbetur të dihet se kush po bënë gazetari e kush po bënë “argatllëk” ditor.
Mediet dhe vet gazetarët duhet të jenë sa të lira aq edhe të përgjegjshme ndaj punës së tyre. 3 Maji duhet të shfrytëzohet pikërisht për të ndërgjegjësuar botuesit e shumtë, të cilët ende i shfrytëzojnë gazetarët sikur të ishin robër. Ka shumë gazetarë, fatkeqësisht, që ende punojnë pa kontrata pune, ka shumë gazetarë e gazetare që nuk gëzojnë as minimumin e të drejtave të garantuara në kontratat e tyre eventuale.
Pra, ngritja e kapaciteteve profesionale, shkollimi dhe vetëdijesimi i gazetarëve për të ditur më shumë rreth respektimit të etikës, do të duhej të ishte primare për mekanizmat që merren me të drejtat e gazetarëve.
Ndershmëria është kategori e cila kërkohet në mënyrë ultimative nga gazetarët. Vetëm një gazetar i ndershëm e ka integritetin e plotë dhe opinioni i beson posaçërisht atij nëse e shpreh mendimin e vet lidhur me çështje e ngjarje të rëndësishme.
Mediat duhet të jenë të lira nga çdo ndërhyrje politike dhe ekonomike gjatë punës së tyre për të informuar publikun. Ndërsa gazetarët në përgjithësi duhet të çlirohen nga frika, lakmia, servilizmi dhe vetë censura.
Gazetarët duhet t`u mbesin besnikë përgjegjësive profesionale, duke respektuar parimet e saktësisë, korrektësisë dhe objektivitetit.
Kurse Qeveria e Kosovës dhe institucionet në përgjithësi duhet ta kuptojnë se mediet janë të lira dhe të pavarura. Kjo Qeveri fatkeqësisht ka treguar një qasje krejt ndryshe për mediet që gjithsesi ishte dëshpëruese sjellja dhe veprimi i tyre në shumë raste.
(Autori është ligjërues në Kolegjin UBT në degën e Medias dhe Komunikimit)