“Për hapjen e urës mund të vendosin vetëm serbët”

Prishtinë | 01 Maj 2023 | 09:37 | Nga Ekonomia Online

Ish-kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Millan Radojeviq ka thënë se vendimin eventual për hapjen e urës së Ibrit mund të marrin vetëm serbët.

Radojeviq ka shkruar në Instagram se pas vitit 1999, pjesa veriore e Mitrovicës mbeti e vetmja zonë urbane ku shumica janë serbë.

Pjesa veriore e sotme e Mitrovicës, thekson ai, “është e vetmja zonë multietnike në Kosovë, me vendbanime të përziera si Mahalla e Boshnjakëve dhe Kodra e Minatorëve, ku jetojnë së bashku serbët, shqiptarët, boshnjakët, goranët”… dhe, shton ai, “liria e lëvizja nuk i mohohet askujt”, por nuk i përmend rojet famëkeqe të urës, të cilët me vite të tëra i kanë persekutuar shqiptarët të cilët kanë dashur ta kalojnë këtë urë.

“Nuk ka serb në pjesën jugore të Mitrovicës. Në varreza dhe në kishë shkojnë vetëm dhe ekskluzivisht nën përcjelljen e policisë”, pretendon ai.

Sipas tij, “vendimin për hapjen eventuale të urës kryesore të qytetit mund ta marrin vetëm serbët, qytetarët e Mitrovicës së Veriut”, të cilët, më tej pretendon ai, “kanë paguar çmim të lartë që serbët të mbeten në pjesën veriore të qytetit, por edhe në komunat e tjera në veri”.

“Këtë vendim nuk mund ta marrë askush tjetër përveç neve”, ka thënë Millan Radojeviq.

Këshilltarët e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës Veriore kanë marrë vendim që të dërgojnë kërkesë për mundësimin e lëvizjes së lirë të veturave në urën kryesore në Ibër.

Iniciativa për hapjen e urës kryesore të Mitrovicës ishte kërkesë e këshilltares nga Lëvizja Vetëvendosje, Aida Ferati Doli, e cila ka theksuar se kërkesa duhet t’i dërgohet Policisë së Kosovës, KFOR-it, EULEX-it dhe organizatave dhe autoriteteve të tjera ndërkombëtare

Të ngjashme