Ligji i Sllovenisë për transmetuesin publik duhet të merret si model për hartimin e ligjit për RTK-në, raporton Ekonomia Online.
Kështu u tha sot në mbledhjen e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media në të cilën u mbajt diskutim lidhur me nismën legjislative për hartimin e Projektligjit për Radiotelevizionin e Kosovës.
Nait Hasani kryetar i Komisionit tha se si shembull do të merret ligji i Sllovenisë për transmetuesin publik, ngase ëshët modeli që më së shumti përshtatet.
“Jemi dakordu me marr ligjin e Sllovenisë. Ka mundësi me shkuar me vizituar. Nuk kisha me ndryshuar projektligjin, por vetëm pjesët që janë më të ndjeshme si: Çështja e bordeve, zgjedhja e drejtorëve, pagesat. Pastaj do të mbajmë dëgjimi publik i cili vjen pasi të hyjmë në seancë”, tha ai
Nënkryetarja e këtij komisioni, Xhevahire Izmaku, anëtare e këtij komisioni, propozoi që të mbajnë takime të vazhdueshme deri në hartimin e ligjit.
“Me marr na ligjin e Sllovenisë është shumë e përshtatshme sepse na lidhet me shumë faktor. Na duhet mu shkëput për dy dite, sepse puna duhet me qenë e vazhdueshme. Duhet të jemi bashkë dy ditë ose tri. Përfaqësuesit e transmetuesit duhet me qenë me ne, si vëzhgues. Qëllimi im është që të mos vijmë para aktit final e mandej mu rikthye prapë. Ne do të kalojmë në dëgjim publik por ne do të dalim me diçka konkrete. “, tha ajo.
Arban Abrashi tha se duhet të mbahen sesione me përfaqësues të shoqërisë civile lidhur me hartimin e projektligjit për Radio Televizionin e Kosovës.
“Është një ligj që është diskutuar por nuk është arrit një rezultat. Un propozoj që duhet me organizuar disa sesione me përfaqësues të shoqërisë civile, dhe të shkojmë me një punëtori”, tha ai.
Ndërkaq Imet Rrahmani kërkoi që në draftin final të ligjit të konsultohen me juristë që të mos bien në kundërshtim me ligjin.
“Unë e kam një dilemë që versionin përfundimtar duhet me na u bashku një jurist i mirë që mos me bë nene që bien në kundërshtim me ligjin. Kur ti kemi gjitha informatat ne kemi kompetencë me bë një ligj të mirë”, tha ai.
Valon Ramadani kundërshtoi që në mbledhje të marrin pjesë përfaqësues të RTK-së.
“Unë nuk pajtohem që përfaqësues të RTK-së të na vëzhgojnë sepse e kanë mundësin në një dëgjim publik të marrin pjesë dhe të japin argumente lidhur me ligjin”, tha ai.
Milaim Zeka tha se kanali i parë i RTK-së duhet të jetë në gjuhën shqipe, raporton EO.
“Unë propozoj që të shkojmë në Televizionin publik të Suedisë. Do të bëjë lutje tek ambasada e Suedisë që të na mundësoj vizitë atje. Unë do të insistoj në bazën e trajtimit të programeve të minoriteteve. Do të insistoj që kanali i parë të jetë në gjuhen shqipe. Le ta zgjidh menaxhmenti se ku do ti gjuaj minoritetet”, tha ai.
Ndërkaq ende pa filluar punën ky komision, në vizitë ishin një grup i nxënësve të shkollës “Lidhja e Prizrenit” nga Deçani të cilët kishin ardhur sot në Prishtinë për të aplikuar për vizë britanike për një vizitë që do t’ia bëjnë ishullit meqë janë përzgjedhur si më të mirë të komunës.