Për herë dytë Fadil Kodra rikthehet në punë, pasi u shkarkua nga Kurti

Prishtinë | 18 Jan 2023 | 14:37 | Nga Ekonomia Online

Edhe pse kryeministri Albin Kurti, e kishte shkarkuar nga pozita e drejtorit të Agjencisë për Menaxhimin Emergjent (AME), Fadil Kodrën, në muajin tetor të vitit të kaluar, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK), sërish ka vendosur që ta kthejë në vendin e tij të punës.

Lajmin e konfirmoi për Telegrafin, avokati i këtij rasti, Faton Fetahu, ku sipas tij ky shkarkim i bërë nga kryeministri i vendit, Albin Kurti, rezultoi i paligjshëm.

Ai tha se vendimi i kryeministrit nuk ishte i bazuar në ndonjë fakt, me pretendimin siç tha Fetahu për Kurtin se “gjoja ka shkel autoritetin zyrtar”.

“Dje e kam pranuar vendimin nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, ku Fadil Kodra kthehet në pozitën e tij të punës, pasi shkarkimi i tij rezultoi të ishte i paligjshëm. Sikurse herën e parë, kur e shkarkoi ministri i MPB-së, Xhelal Sveçla dhe herën e dytë kur e shkarkoi kryeministri, Albin Kurti.

Shkarkimi i tij i dytë ka ndodhur në tetor, pas kthimit në punë pas shkarkimit të parë. Kryeministri e ka shkarkuar me pretendimin se ‘gjoja ka shkel autoritetin zyrtarë’ dhe në bazë të vlerësimit të kryeministrit, nën dyshimin e bazuar sipas tij ‘nuk ka pasur nevojë të shkoj në prokurori e mu vlerësu në gjykatë’, por sipas vlerësimit të kryeministrit mjafton që vetëm ai të ketë dyshime dhe shkarkimin e ka bërë vet ai, duke mos pasur asnjë fakt nga funksioni i drejtorit”, ka shpjeguar Fetahu.

Po ashtu, avokati Fetahu u shpreh se pas ankesës së tij në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, vendimi për shkarkimin e Kodrës është anuluar.

“Pastaj kam bërë ankesë në emër të Fadil Kodrës, pasi më 22 janar i përfundon mandati në pozitën e drejtorit AME-së dhe Këshilli ka nxjerr vendimin e anulimit të vendimit të kryeministrit dhe Fadil kodrën e ka kthyer në pozitën, sipas ligjit që i takon”, ka thënë Fetahu.

Ndryshe, drejtori i Agjencisë për Menaxhimin Emergjent, Fadil Kodra ishte shkarkuar edhe një herë nga ministri i MPB-sw, Xhelal Sveçla më 15 korrik 2022. Mirëpo, pas afro dy muajve, më 7 shtator 2022, vendimi i të parit të MPB-së ishte anuluar nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK).

Këshilli kishte obliguar Sveçlën që brenda 15 ditëve ta kthejë prapë Kodrën në punë. Por, 13 ditë pas vendimit të KPMShCK-së, më 20 shtator 2022, Sveçla kishte kthyer në punë Kodrën, për të marrë vendimin për largimin e tij pas vetëm një muaji.

Të ngjashme