Për herë të parë, Rita Ora dhe Dua Lipa bëhen bashkë në një këngë

Prishtinë | 20 Pri 2020 | 19:23 | Nga Ekonomia Online

Dy artistet shqiptare me famë botërore, Dua Lipa dhe Rita Ora, për herë të parë do bëhen bashkë në një këngë. Këngëtaret prej vitesh nuk kanë raport miqësor me njëra-tjetrën, por nuk kanë mundur të refuzojnë ofertën e fundit për t’u bashkuar në një projekt muzikor.

Dua dhe Rita janë dy nga artistet e përzgjedhura për të shtuar zërin e tyre në një këngë të ndërmarrë si nismë nga “Radio 1 Live Lounge”, që është pjesë e rrjetit të “BBC”. Ato së bashku me 21 artistë të tjerë kanë regjistruar një ripunim të këngës “Times like this” të këndur në vitin 2003 nga grupi “Foo Fighters”. Të tjerë artistë që do të përfshihen në këngë janë: Anne-Marie, Bastille, Ellie Goulding, Jess Glynne, Paloma Faith dhe Rag ‘N’ Bone Man.

Projekti muzikor do të publikohet në “Radio 1 Live Lounge” në mesnatën e 23 prillit, ndërsa premiera botërore  do të shfaqet më vonë në të njëjtën ditë në “BBC One’s The Big Night”. E gjithë kënga do të regjistrohet nga vetë artistët në shtëpitë e tyre dhe do të prodhohet nga Fraser T Smith.

Dua Lipa është shprehur krenare dhe e lumtur që është një nga artistet që do të përfshihet në këngë. Fitimet neto nga publikimi i këngës do të bashkohen me ato të mbledhura nga “The Big Night In” për të ndihmuar njerëzit e prekur nga koronavirusi.


Të ngjashme