Për herë të parë, ShBA-ja kritikon Kosovën në një mbledhje të Këshillit të Sigurimit

Prishtinë | 08 Shk 2024 | 23:00 | Nga Ekonomia Online

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kritikuar Kosovën për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, që e përcakton euron si të vetmen valutë në vend. Sipas përfaqësueses së SHBA-së në OKB, Kosova ka vepruar pa koordinim dhe pa konsultim me serbët lokalë.

Ambasadorja Linda Thomas-Greenfield po ashtu ka thënë se dialogu mbështetet nga Bashkimi Evropian dhe jo nga Këshilli i Sigurimit, duke iu përgjigjur Kurtit që kërkoi nënshkrimin e Marrëveshjes me Serbinë.

“Shtete e Bashkuara mbesin të përshkuara për paqen dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor duke përfshirë edhe mbështetjen tonë për Forcën e Kosovës nga NATO-ja në përputhje me mandatin e OKB-së. Inkurajojmë që t’i kthehen dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja që SHBA-ja e mbështet fuqimisht dhe vazhdimisht. Që të jemi të qartë, është dialogu i lehtësuar nga BE-ja e jo i Këshillit të Sigurimit që duhet të jenë kanale për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, duke përfshirë edhe zgjidhjet që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve. Kështu SHBA-ja ka shprehur brengën sa i përket planit të Kosovës për zbatimin e Rregullores së ndryshuar të BQK-së për sa i përket transaksioneve në para të gatshme. Vendimi është marrë pa përgatitje adekuate apo konsultim me popullatën lokale. Edhe një herë bëjmë thirrje për zbatim të këtij plani, por që të shtyhet deri sa të ketë procedura të kënaqshme në përputhje me standardet evropiane”, ka thënë përfaqësuesja e SHBA-së.

Ajo ka thënë se SHBA-ja është e brengosur edhe për “veprimet e Qeverisë së Kosovës ndaj zyrave të institucioneve të mbështetura nga Serbia”.

“Këto veprime nuk janë konsistente me zotimin e Kosovës që të punojë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të rregulluar çështje që kanë të bëjnë me mirëqenien e komunitetit serb në Kosovë, si dhe dëmtojnë rrugëtimin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Edhe një herë Këshilli i Sigurimit nuk është vendi ku duhet të zgjidhen këto çështje”, ka thënë ajo.

Përfaqësuesja e SHBA-së po ashtu ka përsëritur që ky shtet dënon sulmet paramilitare ndaj Policisë së Kosovës dhe ka kërkuar nga Serbia që të vërë para përgjegjësisë ata që planifikuan dhe kryen sulmin terrorist.

“Lideri i vetëquajtur i sulmit mbetet ende i lirë në Serbi. Edhe njëherë i bëjmë thirrje Serbisë që të kërkojë llogari të plotë nga vepruesit, organizatorët dhe sulmuesit e këtij sulmi”, ka thënë ajo.

Të ngjashme