Për katër muaj mbi 900 raste të dhunës në familje, mbi 700 janë gra

Prishtinë | 14 Maj 2024 | 14:39 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Gjatë periudhës janar-prill të këtij viti, numri i rasteve për dhunë në familje është 927. Gjatë kësaj periudhe, numri i viktimave është 989, prej tyre 770 femra, ndërsa 219 kanë qenë meshkuj, raporton Ekonomia Online.

Kështu u tha nga përfaqësuesit e Policisë së Kosovës gjatë raportimit në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, lidhur me rastet e dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore.

Zylfije Dema, nga Drejtoria e Policisë në Bashkësi dhe Preventivë, ka thënë se PK-ja ka marr një varg masash për të parandaluar dhunën në familje si dhe sipas saj kanë mbajtur fushata të ndryshme për vetëdijesim dhe ndërgjegjësim të qytetarëve.

“Raportimi i rasteve të dhunës në familje janar- prill 2024 numri i rasteve është 927, numri i viktimave është 989, viktima femra 770, viktima meshkuj 219. Persona të ndalur për 48 orë janë 341, urdhër mbrojte të lëshuar nga Gjykata kanë qenë 447 sosh, urdhër për mbrojtje të përkohshme emergjent të shqiptuar nga policia është 51. Ajo që mbete më së shumti për të bërë është parandalimi”, u shpreh ajo.

Deputetja e AAK-së Albana Bytyqi, ka pyetur se cila janë mjete kryesor që po i përdor Policia për t’i mbrojtur viktimat dhe parandaluar dhunën.

Nënkolonelja Dema ka thënë se ka mungesë të mbrojtësve të viktimave të dhunës në familje.

Deputetja e VV-së Fatmire Kollcaku, ka pyetur përfaqësuesit e PK se cilat janë nevojat dhe shqetësimet që i kanë gjatë ushtrimit të punës së tyre.

Luljeta Limani, nënkolonele nga Policia e Kosovës, ka thënë se shpesh policët me mjete vetanake ju blejnë viktimave të dhunës në familje gjerat që ju duhen.

“Është e vërtetë që policët me mjete vetanake ju blejnë shpesh viktimave gjëra që ju nevojiten, më shumë është solidaritet ajo se sa që e kemi obligim”, ka thënë ajo.

Dema, gjatë raportimit në Komision ka paraqitur edhe statistikat për shkaktarët e dhunës për vitin 2023. Sipas saj, nga marrëdhëniet e çrregulluara brenda familjes janë 493 raste, nga xhelozia 412 raste, nga kushte sociale 94 raste, nga ndikimi i alkoolit 171 raste, nga ndikimi i drogës 122 raste, nga ndikimi i çrregullimeve mendore 158 raste, nga traumat e ndryshme 31 raste, dhe 267 raste nuk mund të përcaktohet shkaktari.

Të ngjashme