Për luftimin e krimit në prokurimin publik të domosdoshme ndryshimet në Kodin Penal

Prishtinë | 06 Kor 2018 | 09:00 | Nga

Veprat penale, të cilat rrjedhin nga keqpërdorimet në prokurim publik, në veçanti ato veprime të cilat kanë qëllim shkeljen e qëllimshme të procedurave dhe rregullave të procedimit, nuk janë të rregulluara shprehimisht në Kodin Penal të Kosovës.

Duke u nisur nga mungesa e efikasitetit në luftimin e këtij lloji të krimit, shoqëria civile ka propozuar kategorizimin e veprave penale që lidhen me prokurimin publik në kuadër të Kodit Penal.

Genc Nimoni nga organizata “Çohu”, thotë për Radio Evropa e Lirë, se kategorizimi i këtyre veprave do ta bënte më efikase luftën ndaj keqpërdorimit të parasë publike përmes prokurimit publik.

“Kjo vepër nuk ka qenë e kategorizuar si vepër e veçantë penale. Pjesëza të krimit, do të thotë kanë qenë të shpërndara në vepra të tjera penale, në keqpërdorim të detyrës zyrtare, mashtrim e të tjera, mirëpo jo të kodifikuara në një vend të veçantë në fushën e prokurimit publik. Konsideroj se kjo do t’i ndihmojë shumë më shumë Prokurorisë së para që të identifikojë shumë më lehtë këtë natyrë të shkeljeve, e gjithashtu t’i procedojë tutje për ndëshkim në gjykatë shkeljet e natyrës së tillë”, tha Nimoni.

Kodifikimin e kësaj vepre në kuadër të Kodit Penal e përkrahë edhe njohësi i fushës së prokurimit, Isuf Zejna, nga organizata “Demokraci Plus”.

Zejna thotë se kjo e ndihmon luftën e Prokurorisë në identifikimin e veprave penale që lidhen me prokurimin publik.

“Tani ideja është që secili dëm që i shkaktohet buxhetit të Kosovës, apriori të konsiderohet si vepër penale, pavarësisht nëse është bërë me vetëdije ose pavetëdije. Në momentin që shkaktohet një dëm, ai duhet të trajtohet si vepër penale edhe kjo mendoj se e ndihmon shumë Prokurorinë në ndjekjen e veprave korruptive, të cilat kryhen përmes procedurave të prokurimit publik. Pra, supozohet se ua lehtëson pak punën prokurorëve në kategorizimin e veprave penale të korrupsionit”, vlerëson Zejna.

Kosova vazhdimisht është përballur me keqpërdorime të ndryshme në fushën e prokurimit publik.

Organizatat që monitorojnë prokurimin kanë evidentuar keqpërdorime në procedurat tenderuese, duke filluar nga paraqitja e dosjes së tenderit në autoritetet kontraktuese, realizimi i punimeve sipas planit të prokurimit dhe deri te keqpërdorimet e shumta nga persona fizikë dhe juridikë gjatë tenderimit dhe zbatimit të kontratave.

Kategorizimi nuk ka qenë i përfshirë në Draftin e ri të Kodit Penal, thotë kryetarja e Komisionit për Legjislacion, deputetja Albulena Haxhiu.

“Kjo është e rëndësishme të adresohet për faktin se shumë prej politikanëve të lartë, zyrtarëve të ndërlidhur me ta, të cilët i kanë pasur pozicionet e caktuara, të cilat janë tepër të ndjeshme, domethënë janë pasuruar pikërisht për shkak të mashtrimeve në prokurimin publik dhe ndikimeve në këtë proces”, thotë Haxhiu.

Haxhiu shton se partia e saj opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, e ka propozuar një amendament në bashkëpunim me shoqërinë civile që në Kodin e ardhshëm Penal të jetë një vepër e veçantë që ka të bëjë me mashtrimin në prokurimin publik.

“Kemi paraparë që kjo vepër penale të hyjë në kapitullin e veprave të korrupsionit, është kapitulli 33, pra që lidhet me korrupsionin zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare”, deklaron Haxhiu.

Amendamenti i propozuar ka katër pika dhe ndër të tjera parasheh që kryerësit e veprave që përfitojnë ose shkaktojnë dëme të konsiderueshme pasurore, në vlerat mbi 5 mijë euro, atëherë kryerësi dënohet me më se paku pesë vjet burgim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme