Për një dekadë, gati trefishohen sulmet kundër fëmijëve në zonat e luftës

Prishtinë | 30 Dhj 2019 | 15:33 | Nga Ekonomia Online

Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, sulmet ndaj fëmijëve në zonat e luftërave dhe konflikteve gati janë trefishuar gjatë dekadës së fundit.

Agjencia për mbrojtjen e fëmijëve e Kombeve të Bashkuara, UNICEF, tha se rreth 170 mijë shkelje ndaj fëmijëve janë vërtetuar nga viti 2010 në mbarë botën. Këtu përfshihen vrasjet, gjymtimet, dhunimet seksuale dhe rekrutimet në luftime.

Duke u bazuar në këto të dhëna, për çdo ditë në dhjetë vjetët e fundit kanë ndodhur mesatarisht 45 shkelje të tilla kundër të drejtave themelore të fëmijëve.

Megjithatë, kjo agjenci thotë se këto statistika mund të jenë vetëm “maja e iceberg-ut”, sepse shumë shkelje të tjera besohet se nuk janë raportuar fare.

“Konfliktet në botë janë duke zgjatur më shumë, duke shkaktuar më shumë gjakderdhje dhe duke marrë më shumë jetë njerëzish”, tha Henrietta Fore, drejtoreshë ekzekutive e UNICEF-it.

“Sulmet ndaj fëmijëve po vazhdojnë në shkallë të njëjtë, përderisa palët e konfliktit po e shkelin njërin prej parimeve kryesore të luftës, mbrojtjen e fëmijëve”, shtoi ajo, shkruan “Independent”, transmeton Express.

Vetëm gjatë vitit 2018, Kombet e Bashkuara i kanë verifikuar më shumë se 24 mijë raste të shkeljes së të drejtave të fëmijëve në zonat e konfliktit. Kjo shifër është gati tri herë më e madhe në krahasim me vitin 2010

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme