Për një muaj, 208 kërkesa për legalizim të armëve

Prishtinë | 25 Jan 2019 | 11:32 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në kuadër të fushatës së legalizimit të armëve ilegale “Me letra”, ministria e Punëve të Brendshme (MPB), ka diskutuar për progresin e deritanishëm, ku u prezantuan planet konkrete lidhur me këtë fushatë, raporton Ekonomia Online.

Me këtë rast zv.ministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, tha se Kosova po merr hapat e nevojshëm sa i përket fushës së armëve të vogla, të lehta.

“Kjo konferencë është në vazhdën e kampanjës së MPB-së për fushatën e legalizimit. Kosova është një vend i sigurt dhe në fushën e armëve të vogla të lehta merr hapat e nevojshëm. Ligji për legalizimin e armëve është një mekanizëm shtesë sa i përket rritjes së sigurisë”, tha Zeka.

Ai tha se Kosova është përmirësuar ndjeshëm në luftën kundër trafikimit të armëve të zjarrit.

“Kosova është përmirësuar ndjeshëm në luftën kundër trafikimit të armëve të zjarrit. Kjo fushatë do ndihmojë të ofrojë informata se çfarë duhet të dinë qytetarët rreth legalizimit. Kjo është një mundësi e mirë që qytetarët të i respektojnë ligjet. Deri më sot mbi 100 qytetarë e kanë shfrytëzuar këtë të drejtë dhe ne jemi të kënaqur duke e ditur se procesi është i ndjeshëm dhe duhet të punojmë më shumë”, tha Zeka.

Pjesë e kësaj konference ishte edhe Alessandra Roccasalvo, u.d. Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së, e cila tha se Kosova ka një kornizë të legalizuar të armeve sipas standardeve evropiane.

“Në Kosovë kemi krejtësisht një kornizë të legalizuar sipas standardeve evropiane. Kjo është me rëndësi sepse kur një ditë kur do ndryshojnë standardet ju do e dini se çka po bëni saktë. Diçka që dua të theksoj është fokusi i armëve të vogla, ne e kemi sjellë këtë punë të parët si pilot. Kosova është një vend i vogël për të pilotuar për gjëra që do kanë shpejtë rezultate”, tha Roccsalvo.

Ambasadori gjerman, Christian Heldt, tha se në rajon ka mbi 60 milion armë të dyshimta, të cilat mbeten kërcënim për sigurinë në vend.

“Pse jemi ne jemi në këtë gushatë financiarisht po ashtu me shumë moral dhe mbështetje politike ngase kjo është një temë që ka rëndësi për neve në Berlin dhe qyteteve të tjera. Ne kemi pasë një konferencë me Francën për lansimin e udhërrëfyesit për zgjedhjen e qëndrueshme sa i përket armëve të vogla të lehta. Ne duhet të vizualizojmë që në këtë rajon ka mbi 60 milion armë të dyshimta që janë një kërcënim për sigurinë”, tha Heldt.

Ai tha se për këtë udhërrëfyes të legalizimin të armëve të vogla të lehta, shteti gjerman ka kërkuar 7.5 milion euro.

“Gjermania ka kërkuar 7.5 milion euro për të bërë këtë udhërrëfyes, i cili do jetë në bashkëpronësi me BE-në. Uroj qeverinë e Kosovës për bashkëpunimin e saj më këtë aspekt për zbatimin e këtij udhërrëfyesi. Ne jemi në një rrugë të mbarë, por ende ka akoma shumë punë për tu bërë. Ne do ishim shumë të lumtur të reduktojmë numrin e armëve të panjohura apo të paligjshme. Ne duhet të bëjmë më shumë përpjekje të përbashkëta që bashkë ta adresojmë këtë problem, kjo nuk duhet të bëhet vetëm në nivel rajonal, por në bashkëpunim evropian. Ne si Gjermani jemi të zotuar dhe do vazhdojmë mbështetjen e zbatimit të këtij udhërrëfyesi”, tha tutje ambasadori gjerman.

E, Afrim Ahmeti, drejtor i operativës së Kosovës, tha se deri tani kanë qenë 208 kërkesa për legalizim të armëve.

“Nga fillimi i kampanjë së legalizimi policia e Kosovës është duke pranuar kërkesa për legalizim. Zyrtarët përgjegjës për armë në të gjitha stacionet policore po vazhdojnë të i informojnë qytetarët sa i përket legalizimit të armëve dhe procedurës së saj. Për legalizim në komunën e Prishtinës kanë aplikuar rreth 50 qytetarë. Në Gjilan ka 40 aplikime, Prizreni ka pasur 22 aplikime, Gjakova ka 40 aplikime, Peja ka 36 aplikime, Mitrovicë e jugut ka 7 aplikime ndërsa Mitrovica e Veriut asnjë aplikim. Deri me datën 23 janar kemi 208 kërkesa për legalizim të armëve. Shpresojmë që ky numër në vijim do të rritet”, tha Ahmeti.

Fushata e legalizimit, pjesë e përkrahjes afatgjatë nga Projekti për Sigurinë në Kosovë (KSSP) i UNDP-së, u mundësua përmes kontributit të Ministrisë së Punëve të Jashtme Gjermane.

Të ngjashme