Në vend që BE ta mbështeste Kosovën e djegur dhe shkretuar nga Serbia në 1999, një Kosovë që më shumë se askush në Evropë në 1999 kishte nevojë për lëvizje të lirë e frymëmarrje kolektive, për fat të keq BE bëri tërësisht të kundërtën, i hapi të gjitha dyert Serbisë dhe i mbylli Kosovës. Serbia gjenocidale që edhe sot vazhdon ta destabilizojë rajonin sipas projeksioneve ruse po shijonte të gjitha përfitimet nga BE përfshirë lëvizjen e lirë, ndërsa po izolohej gjithnjë e më shumë Kosova që mezi ishte çliruar edhe atë me ndihmën e NATO-s që e garanton sigurinë kolektive edhe të BE-së.
Dhe pyetjet që i interesojnë çdo shqiptari të shekullit 21 janë këto: – A qenka dashur që Kosova të bënte gjenocid – siç bëri Serbia ndaj Kosovës dhe Bosnjes e Hercegovinës – për t’i pasur dyert e hapura në BE, a na paskësh qenë ky kriteri apo standardi kryesor që na qenkësh dashur të plotësohej nga një vend si Kosova që synon BE-në?! – A qenka dashur që Kosova – siç vazhdon të bëjë Serbia – të rreshtohej sa më shumë kah Rusia e Kina për t’i pasur dyert e hapura në BE?! – A qenka dashur që Kosova ta destabilizonte sa më shumë rajonin siç bëri Serbia për të fituar perspektivë të plotë evropiane?!
Në qoftë se pyetjet e mësipërme na paskëshin qenë kriteret dhe standardet e kërkuara por të pathëna, pse atëherë BE nuk i vuri të njëjtat edhe në letër, bile do ta kishim ditur qysh moti, që një vend për të hyrë në BE dhe për ta gëzuar lëvizjen e lirë do të duhej t’i plotësonte këto kritere e standarde, pra që: 1) të ishte të kaluar gjenocidale, 2) të rreshtohej përkrah Rusisë e Kinës dhe 3) ta destabilizonte rajonin sipas projeksioneve ruse. Në vend që BE ta ndihmonte foshnjen Kosovë që mezi po i çelte sytë, ajo pikërisht foshnjes po ia dyfishonte kriteret për lëvizje të lirë si askujt tjetër, po ia mbyllte dyert dhe po e braktiste çdoherë e më shumë, gjersa po e mbështeste e afronte Serbinë me Vuçiçin e Millosheviqit në krye, e cila bashkë me Rusinë po synonin rusizimin e Evropës? Foshnja pa mbështetje vdes. Prandaj, për mbamendje kolektive të këtij trajtimi poshtërues, propozoj që Kosova ta ndërtojë një Muze pranë Sheshit Zahir Pajaziti dhe ta quajë atë “Absurdi Evropian i Shekullit 21”.
Ngase pikërisht një Muze i tillë përpos që do të duhej të ishte një ndërgjegje e vrarë e Evropës, ai edhe edhe do ta kontrastonte më së miri kontributin kombëtar dhe evropian të Zahir Pajazitit për çlirimin e kombit që e lindi dhe rriti. Kjo sepse Zahiri me shokë dhanë jetën pikërisht për evropeizimin e Kosovës, pra për futjen e Kosovës nga Lindja despotike e Serbisë pushtuese në Perëndim ku për shqiptarët lind dielli, ndërkohë që Evropa në vend që ta përqafonte këtë vlerë shqiptare e evropiane, ajo zgjodhi të mbështeste vlera tërësisht antievropiane duke e mbështetur kështu Serbinë gjenocidale, gjersa kjo e fundit edhe sot vazhdon të mbjellë vlera antievropiane në rajon dhe Evropë.
Ky Muze do t’ua dëshmonte gjeneratave të ardhshme faktin që përderisa BE ishte themeluar mbi frymën e hapjes ndaj lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve, përballë Kosovës kishte promovuar frymën e mbylljes, izolimit dhe pse jo poshtërimit. Prandaj, na duhet një Muze i tillë në zemër të Prishtinës.