Çmimet e larta po pengojnë shumë familje të planifikojnë pushime verore sivjet, veçanërisht pensionistët, raporton Ekonomia Online.
Për qytetaren Mejreme Shema çmimet janë të papërballueshme, jo vetëm për pensionistët, por edhe për punëtorët, sidomos për banim dhe ushqim në Shqipëri.
“Me këto paga e pensione është vështirë t’ia dalim të shkojmë në bregdet. Jo vetëm për pensionistët, por edhe për ata që janë duke punuar është vështirë t’ia dalin. Në Shqipëri çmimet nuk janë të arsyeshme. Ushqimi dhe banimi janë me çmime të larta. Në shtator mendojmë të shkojmë se për ne tani është tepër nxehtë”, tha Shema.
Qytetari Dilaver Kryeziu vlerëson se kostoja e pushimeve është më e lartë se në vende si Austria apo Kroacia.
“Nuk kemi çka t’i shohim çmimet. Shiko sa janë të ardhurat në Kosovë, sidomos pensionistët dhe e kupton se çdo gjë është jashtëzakonisht e shtrenjtë. Tek ne është më shtrenjtë se në Austri, Kroaci dhe Shqipëri. Gjithçka është më shtrenjtë. Unë shkoj në pushime, por nuk do të thotë që i kam mundësitë.
Edhe shumë të tjerë nuk i kanë mundësitë, edhe pse është nevojë të shkohte ndonjë ditë në pushime”, tha Kryeziu.
Një tjetër qytetar, Halim Halili, çmimet në Kosovë dhe në bregdet nuk kanë ndonjë dallim.
“Ai që vjen të bëjë qejf, nuk pyet për çmimin. Çmimet si këtu, si në Shqipëri”, tha ai.
Ndërsa, qytetarja, Adila Halili, tha se me një pension prej 60 mijë lekësh mezi përballohen edhe barnat, le më pushimet.
“Çmimet nuk janë edhe shumë të përshtatshme për pensionistët, por këta që janë në emigrim kanë një lek më shumë dhe bëjnë qejf më shumë. Me pension 60 mijë lekë edhe ilaçet nuk është e lehtë t’i sigurosh. Nuk planifikojmë të shkojmë në pushim veror. Do të qëndrojmë në shtëpi”, tha Halili.