Iniciativa qytetare për Stabilitet ka reaguar në lidhje me pezullimin e mbledhjeve të premiumeve shëndetësore e cila ishte paraparë të fillojë më 1 korrik.
Sipas Iniciativës Qytetare për Stabilitet edhe qeverisja në ikje dështon në realizimin e sigurimeve shëndetësore publik për qytetarët e Kosovës.
“Kur në dhjetorin e vitit të kaluar ishte njoftuar dështimi dhe shtyrja e mbledhjes së premiumeve për sigurimet shëndetësore për 1 korrik të këtij viti, nuk kishin munguar justifikimet boshe dhe premtimet po të atilla për gjoja raportet mujore para kryeministrit për ecurinë e procesit e për fushata informimi për qytetarët dhe bizneset”, thuhet në një reagim për media.
“Ministria e Shëndetësisë dhe ministri në ikje në asnjë rrethanë nuk ka informuar për qoftë edhe një hap të ndërmarrë sa i përket çështjeve bazë të parapara me ligjin për Sigurimet Shëndetësore, të miratuar në prill të 2014-tës, siç janë lista e shërbimeve themelore, lista e barnave, arritja e marrëveshjeve me farmacitë, krijim i sistemit elektronik të të dhënave, pajisja prej më së paku 75% të të siguruarve me kartela sigurimi para fillimit të mbledhjes së premiumeve etj”.
Sipas tyre justifikimet e prezantuara sot në mbledhjen e rregullt të Qeverisë janë papërgjegjësi totale dhe tallje e hapur me qytetarët e vendit.
“Për më tepër, funksionalizimi i Fondit për Sigurimet Shëndetësore dhe Sigurimet Shëndetësore vazhdojnë të jenë të pranishme në programet zgjedhore të të gjitha partive parlamentare dhe politikat pasuese qeverisëse, por asnjëherë i shoqëruar me një debat cilësor e përmbajtjesor, me vullnet për realizimin e detyrimeve e përgjegjësive të marra, e aq më pak në ndëshkim dhe konsekuenca ligjore e politike për dështimet që prekin gjithë shoqërinë”, thuhet në reagim.