Për shkak të festave të fundvitit, komuna e Vushtrrisë i lejon bizneset të punojnë edhe të dielave

Prishtinë | 02 Dhj 2022 | 15:24 | Nga Ekonomia Online

Nga Komuna e Vushtrrisë kanë bërë të ditur se për shkak të festave të fundvitit, do t’i lejojnë bizneset që  të punojnë edhe të dielave.

Në komunikatë thuhet se Komuna e Vushtrrisë lejon punën edhe të dielave, deri në miratimin e një rregulloreje të re, e cila rregullon këtë çështje sipas interesit publik.

“Bazuar në Rregulloren Komunale për Fillimin dhe Mbarimin e Orarit të Punës, me të cilën parashihet që dita e diel të jetë ditë pushimi, Komuna e Vushtrrisë kishte kërkuar zbatimin e kësaj rregulloreje, dhe kjo u zbatua në mënyrë të kënaqshme nga ana e bizneseve tash e një muaj”.

“Mirëpo, duke qenë se tani jemi në prag të festave të fundit të vitit dhe presim ardhjen e mërgimtarëve, si dhe duke marrë parasysh edhe kërkesat e shumta të pronarëve të bizneseve, por edhe të qytetarëve, Komuna e Vushtrrisë lejon punën edhe të dielave, deri në miratimin e një rregulloreje të re, e cila rregullon këtë çështje sipas interesit publik”, thuhet në komunikatë.

Të ngjashme