Për shqiptarët dhe leximin e librave

Tiranë | 22 Gus 2018 | 21:32 | Nga Sonila Meço

Mundet, mundet të jetë e saktë shifra e 1 milion shqiptarëve, që nuk kanë lexuar një libër vitin e fundit.

Me të drejtë dikush mund të mendojë, po ndoshta janë punësuar gjatë kësaj periudhe e kohë s’kanë më si dy a tre vite më parë. Vend, që vlon prej zhvillimit, rritjes së shpejtë, turizmit të lartë, ndërtimit të vrullshëm, pra hapjes me qindra mijëra vendeve të punës.

Po mundet t’i jenë përkushtuar pasioneve të tjera, vrapimit, pikturës, ndonjë vegle muzikore, sportit, udhëtimeve, qëndisjes?. Parqe plot, rrugë të sigurta, të ardhura më të larta, paga të rritura, pensione të bollshme, ndihmë sociale, shtet social, barna të rimbursuara, taksa e tatime në minimum historik, shoqëri e qetë dhe e shëndetshme mendërisht, urbanisht e rilindur.

Po mundet, që televizioni me programacionin e pasur dhe dhjetëra kanalet për frymë të ketë zëvendësuar nevojën për emocione prej leximit. Telenovela plot, ku vlon emocioni, suspansi, metafora e gjetur, fabula intriguese, por ka edhe shumë programe edukues dhe reality, me pjesëmarrjen e njerëzve elitë të kulturës e artit, promovime modelesh të arritë të shkencës, mjekësisë, inxhinierisë, ekonomisë, jurisprudencës, duke bojkotuar gjithë si media artistë e këngëtarë bërë brenda natës. Për të vijuar me prezencën e shumë programeve të tipit talk show informues e pasurues të dijes, programe për librat me një udhëzues përkatës e kritikë mirfilli, edicione informative ku kronikën e zezë të merr malli ta shohësh a digjesh për të gjetur një transmetim live nga punimet e kuvendit ku debatohet banalisht. Ndoshta në këtë vit ka ndikuar edhe transmetimi live i seancave aq përmbushëse të procesit të vetting-ut dhe këtë nuk e gjen dot as tek Tolstoi i dikurshëm e as tek Richard David Precht i ditëve të sotme.

Mundet ndërkohë, që rrjetet sociale të kenë konkuruar bindshëm kohën në dispozicion të librit. Showbizz-i, çfarë veshi, çfarë zhveshi, çfarë i shkroi dhe pse e fshiu, çfarë teshtiu aksh politikan dhe si i tha “shëndet” kolegu, statuset e kryeministrit, ministrave, postimet informuese dhe interesante të deputetëve, pushimet aktive të mjaft vajzave e djemve punëtorë, që me një rrogë i lejojnë vetes 17 herë pushime nga poli i veriut në atë të jugut. Në fakt artistë shqiptarë publikojnë çdo orë nga arti i tyre frymëzues dhe me thënë të drejtën statistikat korrespondojnë, me miliona kanë lënë librin për të ndjekur artin e tyre online.

Nuk e kuptoj pse trondit kjo shifër, prisnim tjetër me gjithë këtë panoramë të shëndetshme e shpërblyese me të cilën ndeshet shqiptari çdo ditë?

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme