Për herë të parë në Kosovë do të mbahet konferenca rajonale për ndërtim. Konferenca “CONRECON”, akronim i “Construction Regional Coference” që organizohet nga Media Ndërtimi do të mbahet me 2 dhe 3 prill, ku të pranishëm do të jenë profesionistë të fushës nga rajoni.
Drejtori ekzekutiv i Medias Ndërtimi, Valon Vataj ka treguar se ideja për këtë konferencë ka ardhur pas problemeve të shumta të ndërtimit në Kosovë.
“Është konferenca e Parë e Ndërtimit që mbahet me 2-3 prill. Ideja ka ardhur si rezultat i problemeve të shumta të ndërtimit në Kosovë. Qëllimi është të nxjerrim rekomandime primare në ndërtim të cilat do t’iu shërbejnë përgjegjësve të fushës. Ka për qëllim edhe zgjidhjen e problemit të mjedisit që shkaktohet nga ndërtimi”, tha Vataj.
Ndërsa, kryeredaktori i Medias Ndërtimi, Uran Haxha, ka treguar se pjesëmarrës do jetë arkitekti me famë botërore Përparim Rama, kryetari i Shoqatës së Arkitektëve të Shqipërisë Armando Vokshi e në mesin e shumë tjerëve do të jetë inxhinieri kosovar, Bardhyl Halitjaha, që merr pjesë në projektin madhor në rikonstruktimin e Mekkës, pa harruar edhe arkitektë tjerë vendorë si Bekim Ramku, Astrit Nixha, Rron Beqiri, Dukagjin Hasimja e të tjerë.
“Dita e parë do të jetë për njerëz që merren me arkitekturë, ndërtim dhe urbanizëm. Ditën e parë të konferencës do të jetë ‘Identiteti arkitekturor i Kosovës’, më pas ‘Ballafaqimi i Ballkanit në urbanizëm’, që kanë problemet e njëjta shumica e vendeve të Ballkanit. Në këtë panel do të jenë përfaqësues nga katër shtetet. Në ditën e dytë do të diskutohet për ‘Degradimin e tokave bujqësore nga ndërtimi’ dhe ‘ndërtimi si ndotës’”, tregoi Haxha.
Pas kësaj konference në ditët në vazhdim do të bëhet një publikim me konkluzionet dhe qëndrimet e pjesëmarrësve, i cili do të dorëzohet në institucione.
Ndërkaq, në këtë konferencë që do të jetë e përvjetshme, të pranishëm do të jenë edhe përfaqësuese të institucioneve kompetente dhe zyrtarë komunal.