Gjatë periudhës janar-mars të këtij viti prokuroritë vendore kanë pranuar 201 kallëzime penale për korrupsion. Ndërsa janë zgjedhur vetëm 6 prej tyre, raporton Ekonomia Online.
Këto të dhëna u bënë të ditur gjatë mbledhjes së mbajtur nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, ku u prezantua puna tremujore e prokurorive themelore.
Prokurori Haxhi Durguti tha se gjatë tremujorit të parë të këtij viti në Prokurorinë Speciale janë bartur 900 lëndë, prej të cilave 897 kanë mbetur të pazgjidhura.
Kryeprokurori Aleksandër Lumezi, është shprehur i pa kënaqur me angazhimin e prokurorëve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ai ka thënë së në asnjë rast nuk justifikohen mungesat e prokurorëve në rastet gjyqësore ku janë lëndë të korrupsionit, përderisa shtoi se përgjegjësinë fillestare duhet ta mbajnë vetë prokurorët, por sipas tij përgjegjës janë edhe kryeprokurorët.
Aleksandër Lumezi ka kërkuar angazhim më të madh në luftën kundër korrupsionit dhe krimeve ekonomike.
Gjatë këtij takimi, anëtarët e Këshillit Prokurorial, kanë shqyrtuar dhe aprovuar Rregulloren Nr.03/2017, për Komisionin për Administrimin e Prokurorive, rregullore kjo e cila përcakton organizimin, përgjegjësitë dhe funksionimin e Komisionit për administrimin e prokurorive, si Komision i Përhershëm i Këshillit Prokurorial të Kosovës. Ndërkaq, fushëveprimi i kësaj Rregulloreje është mbikëqyrja e administrimit të prokurorive nga ana e Komisionit.
Po ashtu, anëtarët e Këshillit Prokurorial kanë shqyrtuar dhe aprovuar Raportin e Komisionit mbikëqyrës për periudhën kohore janar-mars 2017, për zbatimin e planit strategjik dhe të veprimit në luftimin e korrupsionit dhe krimeve ekonomike, me sugjerimet e dhëna nga anëtarët e KPK-së.
Gjithashtu, gjatë këtij takimi u shqyrtua dhe aprovua Raporti i Mekanizmit përcjellës ndërinstitucional për harmonizimin e statistikave për veprat penale karakteristike, i prezantuar nga Drejtori i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial, Lavdim Krasniqi.
Po sot, anëtarët e Këshillit Prokurorial shqyrtuan dhe aprovuan Raportin e Grupit Punues për monitorim dhe vlerësim të zbatimit të Planit Strategjik 2016-2018 të Këshillit për periudhën janar – mars 2017.
Anëtarët e KPK-së, morën vendim që pagesat e stafit mbështetës për angazhimin në detyra shtesë të bëhen sipas ligjit.
Si pikë e fundit e rendit të ditës ishte, raportimi i kryeprokurorëve të prokurorive Themelore të Prishtinës, Prizrenit dhe Gjilanit, për periudhën janar-mars 2017. Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Imer Beka, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Admir Shala dhe zëvendëskryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Gjilanit, Arben Kadriu, raportuan para anëtarëve të Këshillit, për pikat si ndarja e lëndëve, regjistrimi i rasteve, vlerësimi i performancës, komunikimi i brendshëm dhe ndërinstitucional, plani vjetor për menaxhimin e lëndëve si dhe trajnimi i prokurorëve, raporte këto të cilat u aprovuan nga anëtarët e KPK-së.