Vendosja e laurave digjitale në hyrjet e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës i ka sjell përfitime kësaj të fundit. Që nga data 6 nëntor të vitit të kaluar, kur nisi aplikimi i pagesave në hyrjet e QKUK-së, janë mbledhur gati 90 mijë euro.
Këtë e ka bërë të ditur për Indeksonline, shefi i zyrës së financave brenda QKUK-së, Sherif Bytyqi.
“Që nga fillimi i funksionimit të laurave digjitale, nga 6 nëntori 2017 e deri më 5 shkurt 2018 janë grumbulluar të hyra në vlerë prej 80.790.50 euro”, ka thënë Bytyqi përmes një përgjigjeje elektronike.
Ai ka shtuar se këto mjete dhe të hyrat e parkingut janë të destinuara për pagesat e shujtës së punëtorëve.
“Shuma e parave të grumbulluara nga të hyrat e tërësishme, pra edhe të hyrat e parkingut janë të destinuara për pagesën e shujtës se punëtorëve të QKUK-së”, ka shtuar Bytyqi.
Ndërsa, për një vit (2017) shuma e të hyrave të tërësishme në QKUK ka qenë mbi 1 milionë, saktësisht 1.058.133.00€, ndërsa vetëm nga parkingu ka qenë 176.229.42€.
Mirëpo, fillimi i aplikimit të kësaj forme të re të pagesave në hyrjet e QKUK-së ka bërë që të shkaktohen kolona të gjata të veturave në pritje për të hyrë brenda.
Faton Hajzeraj, zyrtar i IT-së në QKUK, ka thënë për Indeksonline se pritjet e veturave janë më shumë në dalje, kur edhe përfundon orari i punës.
Mirëpo, Hajzeraj thotë se po planifikohet shtimi i një hyrjeje për staf mjekësor, e cila do të shfrytëzohet edhe si hyrje kryesore emergjente.