Rrëzimi i një monumenti është një akt historik. Ka diçka të pakthyeshme në këtë. Është si një fitore ndaj rendit të vjetër, lindje e një epoke të re. Nuk është çudi që në këtë shpërthim të tanishëm protestash antiraciste, skllavopronarët dhe zotëruesit e kolonive po largohen nga piedestalet e tyre. Trashëgimia e tyre glorifikuese, që ka mbijetuar deri në këto ditë në formën e racizmit, më në fund po rivlerësohet.
Kjo valë ka goditur tregtarin me skllevër, Edward Colston, shtatorja e të cilit është larguar nga aktivistët në Bristol, Angli, dhe është hedhur në ujë. Në Boston, demonstruesit ia hoqën kokën skulpturës së hulumtuesit italian Christopher Colombus, udhëtimi i të cilit, drejt Amerikës, u hapi rrugë kolonizimit, përdorimit dhe çrrënjosjes se njerëzve vendas në Amerikë. Mbreti belg Leopold II, që vendosi një regjim të ashpër në Cong, me shumë gjasa do të zhduket nga publiku. Statuja e tij, si shumë të tjera, është zhvendosur nga autoritetet si masë mbrojtëse.
Lëvizja “Black Lives Matter” ka sjellë një debat të vjetër në qendër të diskutimeve publike. Për vite ka pasur kundërshtime, veçanërisht në Evropë dhe Shtete të Bashkuara, se si të veprojmë më ish-“heronjtë”. Shumë prej tyre kanë pasur qasje raciste, kanë përdorur dhunë, kanë skllavëruar njerëz e kanë vrarë. Por a do të thotë kjo që shtatoret e tyre duhet që të shkatërrohen e të hidhen në ujë si ajo e Edward Colston?
“Si historian, unë kam një interes në ruajtjen e këtyre monumenteve si burime historike”, ka thënë për DW-në, Jürgen Zimmerer, profesor i historisë botërore me fokus në Afrikë, ligjërues në Universitetin e Hamburgut. Sidoqoftë dikush duhet t’ua heqë meritat heronjve dhe t’i klasifikojë ata në mënyrë historike.
Parqet e statujave, të tilla që janë krijuar nga vendet e Evropës Lindore pas rënies së komunizmit, mund të jenë një vend pushues për këto monumente të turpshme. Një nga shembujt më të mirë për këtë është “Memento Park” në Budapest. Pozicionuar në dalje të qendrës së qytetit strehon disa statuja, buste dhe vepra të tjera arti, që më parë i kishin dhënë formën kryeqytetit hungarez. Shembuj të tillë mund të gjenden në Moskë, Sofje dhe në Grutas të Litanisë.