Përfaqësuese së Kosovës në futboll i janë ndarë 500 mijë euro, nga Qeveria e Kosovës, propozim ky i ministrit Kujtim Gashi, raporton Ekonomia Online.
Gashi tha se në koordinim edhe me kreun e Kuvendit, Kadri Veseli dhe kryeministrin Ramush Haradinaj kanë marrë këtë vendim.
“Kombëtarja e Kosovës ka shënuar rezultate te shkëlqyera gjatë ndeshjes së futbollit dhe me fuqizimin dhe kualifikimin e kombëtares në këtë fazë në koordinim me kryeparlamentarin Veseli dhe kryeministrin Haradinaj kërkoj nga Qeveria ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej 500 mijë euro t’i ndahen Kombëtares së Kosovës”, tha Gashi.
Kryeministri Ramush Haradinaj tha se është përkrahës i kësaj nisme të ministrit Gashi dhe në ketë mbledhje ky propozim u miratua nga të gjithë.
Gjithashtu është vendosur që klubit “FC Prishtina”, t’i jepet në shfrytëzim një parcelë në zonën Kadastrale Bërnicë e Poshtme, në komunën e Prishtinës.
Ministri Gashi tha se e gjithë kjo po bëhet me qëllim të krijimit të kushteve më të mira për sportistët, raporton EO.
“Me qëllim të krijimit të kushteve më të mira dhe bazuar në kërkesën e Klubit ‘Prishtina’ që të marrë veprimet përgatitore, kërkoj nga qeveria aprovimin e marrjes në shfrytëzim të pronës për 40 vjet dhe pa kompensim”, tha Gashi.