Përfaqësues të bizneseve dhe ekspertë të ekonomisë kanë vlerësuar se ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike gjatë javëve të fundit po shkaktojnë dëme të konsiderueshme për prodhimin vendor, po rrisin kostot e operimit dhe po e bëjnë Kosovën më pak atraktive për investime të reja, raporton Ekonomia Online.
Sipas tyre, mungesa e stabilitetit në furnizimin me energji po ndikon drejtpërdrejt në proceset prodhuese, në eksport, si dhe në klimën e të bërit biznes në vend, derisa kanë kërkuar zgjidhje afatgjata për sigurimin e stabilitetit energjetik.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka thënë për Ekonomia Online, se bizneset po përballen çdo ditë me probleme që lidhen me energjinë elektrike dhe furnizimin me ujë, duke theksuar se kjo situatë po dekurajon investitorët potencialë.
“Ankesat janë të përditshme (nga bizneset për munges të energjisë elektrike). Derisa ne po flasim këtu, në këtë lagje nuk ka rrymë. Nuk ka as ujë. Dhe ne flasim tash për, inkurajimin e bizneseve të reja, dhe kjo është dekurajim për çdo investitor. Nëse nuk ka energji elektrike, çka mund të diskuton një investitor i huaj për të hapur ndonjë investim të ri në Kosovë? Nëse s’ka ujë, nëse licenca vonohet, ka vonesa, nëse është, siç e dimë që është rritur burokracia. Burokracia prodhon korrupsion, korrupsioni largon investitorë, të gjithë këtë, e bën që vendi jonë vërtet të mos jetë vend atraktiv për investime. Energjia elektrike në Kosovë është më e shtrenjta. Përpos që është më e shtrenjta, kemi mungesë të saj dhe kemi pa paralajmërime. Në proces të prodhimit, kur energjia ndalet, e prish një tërë sistem prodhues. Dhe çka është më e keqja, Administrata Tatimore e Kosovës nuk i pranon prishjet e procesit të prodhimit jo për fakt, për fajin e kompanisë po për fajin e mungesës së energjisë elektrike pa paralajmërim. Dhe energjia është bërë tashmë, kërkesë e çdo aktiviteti ekonomik. Mungesa e saj është bërë kancer i çdo aktiviteti ekonomik. Kurse shtrenjtimi i saj është bërë kosto e çdo prodhimi dhe çdo shërbimi në Kosovë, që po e rrit dhe konsumatorët me të drejtë ankohen që në Kosovë ka, produkte të shtrenjta, shërbime të shtrenjta, por ne i kemi edhe energjinë më të shtrenjtë në Ballkan dhe vërtet kjo i faturohet në fund konsumatorit”, tha ai.
Shahini tha se ndërprerjet e energjisë po shkatërrojnë planifikimet prodhuese të bizneseve dhe po ndikojnë edhe në humbjen e tregjeve vendore dhe të huaja.
“Planifikimi i prodhimit është në baza ditore, javore, mujore. Ndërprerja e energjisë elektrike i prolongon këto planifikime, i shkatërron këto planifikime. Dhe ka vonesa në prodhim, ka vonesa në shërbim, ka vonesa në eksport. Blerësi çon dorë nga vonesat dhe ne humbum tregje edhe në Kosovë, edhe humbum tregje në eksport. Prandaj energjia elektrike dhe tregu energjetik kërkon stabilitet. Gazi amerikan është një nga mundësitë për stabilitet energjetik, strategjik, dhe ekonomik në Kosovë, dhe ne si Aleancë e Biznesit i kërkojmë institucioneve të shtetit të Kosovës të jenë të qartë në deklarimet e tyre se a janë kundër apo pro gazit amerikan, në mënyrë që ne të krijojmë stabilitet energjetik, por edhe përmes gazit mund të krijojmë stabilitet edhe të ngrohjes, të industrisë, familjarë. Sepse Kosova është i vetmi shtet në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë që opsionin e parë për nxehje e ka energjinë elektrike. Dhe kjo është më e shtrenjta”, tha ai.
Kurse, ekonomisti Lulzim Beqiri tha se energjia elektrike mbetet faktori kryesor që po e rrit koston e prodhimit në Kosovë, ndërsa ndërprerjet e shpeshta po u shkaktojnë humbje të mëdha bizneseve prodhuese.
“Po, faktori kryesor që e rrit koston e prodhimit është energjia elektrike. Imagjinoni një kompani prodhuese e cila ose një furrë buke e cila është duke i pjekur bukët, se kryesisht piqen me energji elektrike, me u ndal dhe ai produkt me u eliminua, me u shkatërruar. Pra kostoja është shumë e madhe. Në vitin 2026 me u folur për ndërprerje të energjisë elektrike në një vend i cili ka aspiratë me qenë pjesë e Bashkimit Evropian, me pas investime të larta të huaja, është e pafalshme për faktin që Kosova pothuajse flen në thëngjill apo në arin e zi siç i themi në gjuhën ekonomike, dhe konsideroj që është jashtëzakonisht sfiduese situata aktuale që bizneset kanë. Në njërën anë ka rritje të lartë të kostos, çmimit të energjisë elektrike edhe për konsumatorin por edhe për biznesin, anën tjetër pastaj del në tregun e hapur që i godet bizneset, edhe ka ndërprerje të energjisë elektrike, pra kjo gjithashtu është një demotivim i bizneseve, për këtë arsye edhe kemi kaq pak prodhues në Republikën e Kosovës”, tha ai, për Ekonomia Online.
Beqiri tha se mungesa e një klime të favorshme për biznes po detyron kompani të caktuara të shqyrtojnë largimin nga Kosova.
“Po kemi indikacione që shumë biznese po detyrohen me u larguar nga Kosova për faktin që nuk ka klimë të bërit biznes në Republikën e Kosovës. U përmendën të gjitha këto, imagjinoni një biznes i cili brenda natës duhet me kaluar prej një shume për shembull nëse ka kompani prodhuese, prodhime të mëdha, tash me paguar 250% më shumë sesa që ka paguar deri dje. Pra kjo ndikon jashtëzakonisht shumë, për këtë arsye ka dhe kompani shumë pak prodhuese dhe kjo është, pothuajse kemi thyer rekord vitin 2026 nga importi, dhe kjo sigurisht vjen në mungesë të prodhimit në Republikën e Kosovës. Dhe të gjitha analizat shkojnë që nuk ka një mbështetje institucionale strategjike të institucioneve të Republikës së Kosovës karshi prodhuesit. Pra ka më shumë një lloj goditje, një lloj ataku të përgjithshëm, popullor, ndaj top bizneseve që prodhojnë në Republikën e Kosovës për inate politike të cilat nuk do të duhej të ndodhin në Republikën e Kosovës”, tha ai.
Ai kërkoi që institucionet të realizojnë investimet e premtuara në prodhimtari, me qëllim të rritjes së prodhimit vendor dhe uljes së importeve.
“Me i qit në letër, në aprovim premtimet që i kanë dhënë institucionet e Republikës së Kosovës, investimet rreth 1 miliard euro në prodhimtari. Kjo është faktori kryesor i cili kishte me ndikuar që Republika e Kosovës me u ul importi. Në momentin që ulet importi, atëherë edhe qytetarët e Kosovës blejnë produkte vendore, e këto produkte vendore janë më të lira sepse konsideroj që janë produkte vendore dhe sigurisht që edhe qëllimi, motivi i qytetarëve të Kosovës do të jetë më i madh të furnizohen me produkte vendore. Prandaj është e domosdoshme që situata aktuale të ndryshojë në mbështetje të prodhuesve vendore”, tha ai.

